Juventus kërkon Mustafin
Juventus ka filluar të bëjë gati planet për merkaton e Janarit. Në listën e objektivave të trajnerit Antonio Conte është edhe një futbollist shqiptar, mbrojtësi i Sampdorias, Shkodran Mustafi, shkruan e përditshmja sportive italiane “Tuttosport”.
Mustafi ka lënë përshtypje të mira me paraqitjet e tij për skuadrën e Genovas dhe gjatë kësaj jave u ftua edhe në Kombëtaren A të Gjermanisë nga trajneri Joachim Lëv. Ai nuk u aktivizua në miqësoren kundër Kilit, por vetë ftesa të bën të besosh se ai është në planet e tij. Për të siguruar shërbimet e Mustafit, Juventus është i gatshëm të ofrojë gjysmën e kartonit të pronësisë së sulmuesit Manolo Gabbiadini, aktualisht një prej futbollistëve kryesor tek Sampdorias, por i huazuar nga bardhezinjtë.
Marota është edhe në kërkim të mbrojtësve të tjerë, ku në krye të listës është Matss Hummels i Dortmundit, i cili ka një vlerë të kartonit që shkon nga 20 deri në 25 milionë Euro. Alternativat e tjera janë Batshtuber nga Bajerni i Mynihut që vazhdon të mbetet jashtë fushave të lojës pas një dëmtimi të rëndë. Ndërkohë që Fabjan Shar, Gabriel Paleta i Parmës dhe Andrea Ranokia i Interit, janë pistat e fundit në rast se nuk arrihet asnjë nga objektivat parësore të Marotës.
Me Barzajlin me shumë vite mbi supe, Kielinin që shpesh herë preket nga dëmtimet, Konte dëshiron një goditje të madhe duke parë që Ogbona nuk ka dhënë rendimentin e pritur.
