Jo një izolim kombëtar, por izolime lokale në kohë e zona të caktuara dhe rikthim  të modelit të autovertifikimit  për ata që duan të lëvizin për motive të forta, është panorama e Italisë që nis këtë fundjavë dhe është në fuqi të paktën për një muaj rresht.  Për çdo shkelës të këtyre normave është parashikuar gjobitja deri në 1000 euro.

Pandemia Covid 19 ka rikthyer në Itali shifrat e muajve mars-prill 2020 me numrin e të infekturve në mbi 15 mijë të sëmurë në çdo 24 orë.

Qeveria Italiane dhe autoritetet drejtuese lokale janë detyruar të ndërmarrin gjatë orëve të fundit masa më drastike që limitojnë qarkullimin e banorëve si dhe zhvillimin e çdo aktiviteti në orare e zona të caktuara.

Në disa rajone italiane si në Lombardi, Lazio e Campania është rikthyer modeli i autocertifikmit që motivon lëvizjen me arsye të forta në fashën kohore  nga 23.00-24.00 deri në 5 të mëngjesit.

Por jo vetëm kaq, në kryeqytetin italian, Këshilli Bashkiak nën firmën e kryebashkiakes Virginia Raggi ka vendosur të mbyllë  këtë fundjavë e deri më datë 30 nëntor 2020, prej orës 21 të mbrëmjes  4 zona të qytetit të frekuentuara nga jeta e natës. Në këto zona nuk do të lejohet hyrja e personave që nuk janë banorë dhe prej orës 24.00 deri në 5 të mëngjesit ndalohet lëvizja e çdo personi pa motive të forta.

Rajoni i Lombardisë dhe i Campania-ska vendosur gjithashtu  dhe mbylljen në fundjavë të qendrave tregtare si dhe limitime të numrit të nxënësve në shkolla duke urdhëruar mësime online në masën 50% të nxënësve të shkollave të mesme dhe 75% për studentët.

Limitime të tilla ka kryer dhe rajoni Marche e Lazio.

Mediat lokale informojnë mbi mundësinë e izolimit lokal dhe në rajonin e Sardenjës, por deri më tani guvernatori i saj nuk ka firmosur asnjë urdhër zyrtar.

Në 24 orët e fundit Italia regjistroi 16 079 të infektuar dhe  137 viktima.