Zbardhet një vrasjeje e ndodhur në vitin 2012 në Malin me Gropa.  

Vihet në pranga njëri prej autorëve, ndërsa autorit tjetër i është komunikuar masa në burg ku vuan dënimin.

Konkretisht Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg” për autorët e dyshuar të kësaj ngjarje: Faik Buci, 66 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Babrru, Tiranë dhe Shkëlzen Buci, 37 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Babrru, Tiranë.

“Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, pas një pune hetimore dhe procedurale të mirorganizuar dhe të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “HESHTJA”. Në kuadër të hetimeve u bë e mundur gjetja e disa pjesëve të një skeleti (eshtra) të një kufome të paidentifikuar të gjetur në datë 14.09.2012, në vendin e quajtur ”Mali me Gropa”, Tiranë. Pas një pune hetimore të pandërprerë që prej vitit 2017, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë rifilluar hetimet në lidhje me këtë çështje dhe mbi veprimet hetimore dhe procedurale, është bërë i mundur identifikimi shkencor eshtrave, të cilat i përkasin shtetases Eglantina Buci, 23 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Babrru, Tiranë.” – njofton policia.

Si ka ndodhur ngjarja?

Shtetasit Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen E. B. dhe më pas e kanë fshehur (groposur) kufomën, në Malin me Gropa, Tiranë.

Motivi i vrasjes së bërë nga babi dhe vëllai i saj është pasi shtetasja Eglantina Buci është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e personave të lartëpërmendur Faik Buci dhe Shkëlzen Buci (familjarë të saj).

Shtetasit Shkëlzen Buci iu komunikua masa e sigurisë në ambientet e IEVP-së ku vuan dënimin, pasi është arrestuar më parë po nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për një ngjarje tjetër, për “Vrasje me paramendim” të ngelur në tentativë, të ndodhur në Tiranë, në vitin 2017. Ky shtetas aktualisht është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim.

Ndërsa pas daljes së masës së sigurisë për shtetasin Faik Buci, Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas marrjes së informacioneve të shpejta në rrugë operative nga ana e specialistëve dhe ndihmësspecialistëve bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në momentin e kapjes këtij shtetasi i është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë thikë.

Materialet në ngarkim të shtetasve Faik Buci dhe Shkëlzen Buci i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprat penale ”Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, ”Mbajtja pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe ”Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .