Interi ndalet në shtëpi nga Genoa
Interi nuk ka arritur as në këtë javë të fitojë në kampionatin Italian pasi është ndalur në shtëpi nga skuadra e Genoas me rezultatin 1-1. Pas humbjes në fundjavën e kaluar të besuarit e Stramacionit nuk kanë mundur të rikthehen te fitorja as në këtë javë të kampionatit. Pjesa e parë e takimit mbyllet me rrjeta të paprekura dhe me një lojë të vakët për sa i përket rasteve të krijuara. Në 45 minutat e dyta skuadrat ndryshuan në lojën e tyre duke kërkuar më shumë golin e avantazhit. Zikaltrit mundohen të shënojnë duke shpërdoruar disa raste në fillimin e pjesës së dytë. Atë që nuk e bëjnë vendasit e bëjnë miqtë nga Genoa në minutën e 76. Imobile kalon me radhë mbrojtësit zikaltër dhe me një gjuajtje brenda zonës mposhtë skuadrën e Interit duke kaluar të tijët në avantazh. Pas këtij goli Interi zgjohet dhe arrinë të rikthej gjithçka në barazpeshë me anë të Kambiasos 5 minuta para përfundimit. Në limitet e lojës Interi ka një tjetër shans të pastër për të shënuar golin e fitores por Livaja me portën e zbrazur shumë pranë saj e dërgon topin në shtyllën pingule të portierit Frey që në këtë rast ka edhe fatin me vete. Ndeshja mbyllet në barazpeshë ndërsa Interi tashmë e sheh veten të dorëzuar në luftën për titull pasi ka mbetur 9 pikë larg Juventusit që kryeson renditjen me 44 pikë pas fitores së djeshme ndaj Cagliarit.
