Gati kompensimi i pronarëve që preken nga projekti i linjës 35 kV Korçë-Bilisht
Këshilli i Minastrave në mbledhjen e së premtes vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i linjës 35 kV Korçë-Bilisht”.
Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “vreshtë”, me një vlerë të përgjithshme prej 700 285 lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 700 285 përballohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë dhe Zyra Vendore Devoll, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nisin procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrojnë aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, dhe Zyra Vendore Devoll pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., për pasuritë e shpronësuara.