Vlera e projekteve të reja të ndërtimit shënon rënie për të dytin vit radhazi
Investimet e reja të bizneseve në prona, të matura sipas vlerës së lejeve të ndërtimit, janë në rënie për të dytin vit radhazi.
Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vlera e lejeve për ndërtime jorezidente (duke përfshirë hotelet, zyrat dhe ndërtimet tregtare apo industriale) për 6-mujorin e parë 2024 arriti në 10.1 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara ka rënë me afërsisht 20%.
Megjithatë, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara shënoi një rritje të lehtë në 176, 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit e rriti edhe interesin e bizneseve për investime të reja në prona. Rritja e investimeve në prona erdhi edhe nga rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë nga pandemia dhe me rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese të bizneseve, çka ka shtuar incentivat në drejtim të investimeve të reja, përfshirë këtu edhe pasuritë e paluajtshme.
Vlera e investimeve të reja për gjysmën e parë të vitit arriti nivelin rekord të afërsisht 15 miliardë lekëve në vitin 2022, ndërsa në dy vitet e fundit ka pësuar gradualisht rënie, megjithëse ngelet në vlera të konsiderueshme.
Megjithëse vlera e projekteve të reja të ndërtimit të bizneseve po ngadalësohet, e kundërta po ndodh me vlerën e kredive të reja për pasuri të paluajtshme të bizneseve. Kjo mund të shpjegohet me afatet e zbatimit në kohë të projekteve të miratuara në vitet e mëparshme.
Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti kryesor edhe në segmentin e bizneseve. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut portofoli total i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti në 172.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve ka shënuar një rritje rekord me 60%.
Rritja shumë e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme në segmentin e biznesit duket të jetë arsyeja kryesore e shqetësimeve që po shfaq Banka e Shqipërisë lidhur me zgjerimin e ekspozimit të sektorit bankar në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në fund të muajit qershor, Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar. Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë për qind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.
Nëse ritmet e kreditimit do të mbeten të larta, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar rritje të tjera të normës së shtesës kundërciklike në periudhat e ardhshme. / MONITOR