Trump paralajmëron Teheranin/ Ushtria juaj është shkatërruar, firmosni marrëveshjen ose do të paguani çmimin!

Gjendje alarmi dhe tensione në pikën e vlimit në Lindjen e Mesme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se ushtria e Iranit është “mposhtur krejtësisht”, duke i dërguar një paralajmërim të prerë Teheranit se kohës së negociatave po u vjen fundi.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i ka kursyer ironitë dhe tonet e ashpra, duke i përshkruar forcat e armatosura iraniane si një “katrahurë të vërtetë” dhe duke pretenduar se pjesa më e madhe e forcave detare dhe ajrore të këtij shteti “nuk ekziston më”.
"Irani ka vetëm fjalë e asnjë vepër. Ata janë thjesht ngacmuesit e Lindjes së Mesme", ka shkruar Trump, duke shtuar se Teherani do të paguajë një çmim të rëndë nëse zvarrit arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin.
Ky reagim i ashpër vjen pas një nate intensive sulmesh. Ushtria amerikane goditi me saktësi sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët dhe pikat e vëzhgimit të Iranit pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit. Ky operacion erdhi si hakmarrje direkte e SHBA-së pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak amerikan të llojit Apache.
Irani u përgjigj menjëherë duke lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh drejt objektivave të lidhura me SHBA-në në Jordani dhe në gjithë Gjirin Persik. Megjithatë, zyrtarët e Pentagonit konfirmuan se shumica dërrmuese e këtyre mjeteve u kapën dhe u shkatërruan në ajër.
Pavarësisht përplasjes me armë, Trump ka lënë ende një dritare të hapur për diplomacinë, por kushtet janë ekstreme. Gjatë një interviste për Fox News, presidenti amerikan zbuloi se është gati të autorizojë sulme të reja shkatërruese ndaj infrastrukturës kritike iraniane duke përfshirë termocentralet dhe urat nëse Teherani refuzon të ulet në tryezë.
"Irani ende ka një mundësi për marrëveshje, por opsioni ushtarak mbetet plotësisht mbi tryezë nëse negociatat dështojnë," paralajmëroi Trump.
Në orët e fundit, diplomacia ka lëvizur me shpejtësi në prapaskenë. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se negociatorë nga Katari kanë fluturuar urgjentisht drejt Iranit, menjëherë pas konsultimeve të ngushta me Uashingtonin, në një përpjekje të dëshpëruar për të finalizuar një marrëveshje përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.
Ky shkëmbim zjarri shënon përshkallëzimin më serioz që nga prilli, kur palët patën rënë dakord për një armëpushim të brishtë, i cili pasoi sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit. Ora po troket, dhe fati i rajonit varet tashmë nga përgjigjja që Teherani do t'u japë negociatorëve kataritë.



