L*fta e re transatlantike / Trump s*lmon Europën për çmimet e ilaçeve: Paguani më shumë ose mbeteni pa barna!

Pas përplasjeve të ashpra për tarifat tregtare, financimin e NATO-s dhe sigurinë globale, administrata e Donald Trump ka hapur një front të ri dhe të papritur beteje me Bashkimin Europian: koston e medikamenteve.
Sipas një investigimi të publikuar nga mediat ndërkombëtare, Shtëpia e Bardhë ka vënë në lëvizje makinerinë e saj diplomatike dhe rrjetin e ambasadave në Europë. Synimi është i qartë: t’u bëhet presion qeverive europiane që të rrisin shpenzimet për blerjen e barnave. Uashingtoni pretendon se qytetarët amerikanë po mbajnë mbi supe faturën e majme të kërkimit shkencor, ndërsa europianët përfitojnë nga "ilaçet e lira".
Në syrin e ciklonit të kësaj strategjie është pozicionuar Gjermania, si tregu më i madh dhe më i fuqishëm farmaceutik në BE. Ministret gjermane të Shëndetësisë dhe Ekonomisë, Nina Warken dhe Katherina Reiche, raportohet se po zhvillojnë bisedime tejet sekrete me Departamentin amerikan të Shëndetësisë.
Përplasja vjen në momentin më të keq për Berlinin zyrtar, i cili po tenton të ndërmarrë reforma për të tkurrur shpenzimet publike për shëndetësinë. Nga ana tjetër, SHBA kërkon të kundërtën. Dallimi në çmime është drastik: për të njëjtat ilaçe inovative, një pacient në Amerikë paguan mesatarisht sa trifishi i një pacienti në Gjermani.
Gjigantët farmaceutikë kanë nisur të përdorin si armë presionin ekonomik. Kompanitë Eli Lilly dhe Boehringer Ingelheim sapo kanë njoftuar ngrirjen e planeve për investime miliardëshe në Gjermani, duke fajësuar politikat shtrënguese të Berlinit.
Për të thyer rezistencën e BE-së, administrata Trump po përdor si precedent marrëveshjen e arritur së fundmi me Britaninë e Madhe. Londra pranoi të rrisë buxhetin për ilaçet e reja dhe të zbusë tavanet e çmimeve, në këmbim të një pakti 3-vjeçar që mbron firmat britanike nga tarifat doganore amerikane.
Megjithatë, ky hap ka shkaktuar një furtunë politike në Britani, ku kritikët po e cilësojnë marrëveshjen si një "kapitulim" që do t'u kushtojë taksapaguesve miliarda paund pa asnjë përfitim real.
Situata pritet të acarohet akoma më shumë pas vitit të ri, kur pritet të hyjë në fuqi politika e re e Trump e pagëzuar si “Kombi më i favorizuar”. Sipas këtij rregulli, SHBA do të refuzojë të paguajë për ilaçet më shumë sesa çmimi më i ulët që kompanitë aplikojnë në vendet e pasura europiane.
Kjo ka futur në panik vetë industrinë. Ekspertët drojtën se kompanitë farmaceutike mund të refuzojnë qëllimisht të lançojnë medikamente të reja në tregun europian, vetëm për të mos u detyruar të ulin çmimet në tregun fitimprurës amerikan.
Pavarësisht presionit të lartë nga Uashingtoni, zyrtarët dhe ekspertët e shëndetësisë në Europë mbeten mjaft skeptikë. Përfaqësues të platformave të sigurimeve shoqërore në BE theksojnë se sistemet spitalore europiane janë në krizë dhe se nuk mund t'i jepet një "çek i bardhë" industrisë në kurriz të buxheteve publike.
Ajo që nisi si një debat mbi çmimet e ilaçeve, tashmë është kthyer në një luftë të mirëfilltë gjeopolitike. Sektori farmaceutik po kthehet në fushëbetejën e radhës të përplasjes transatlantike.



