Pagat rriten, tregu i punës ngec / INSTAT: papunësia e të rinjve mbetet problem shqetësues

Pagat rriten, tregu i punës ngec / INSTAT: papunësia e të rinjve

Rritja e pagave në Shqipëri nuk po shoqërohet me përmirësim të ndjeshëm të mundësive për punësim. Kjo pasqyrohet në të dhënat më të fundit të INSTAT, të cilat tregojnë një treg pune ende të brishtë, sidomos për të rinjtë.

Sipas statistikave, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 90 mijë e 119 lekë, me një rritje prej 9.6% krahasuar me një vit më parë. Në sektorin publik paga mesatare u regjistrua në 105 mijë e 390 lekë, ndërsa në sektorin privat 83 mijë e 912 lekë.

Pavarësisht kësaj rritjeje, treguesit e punësimit kanë shënuar një ecuri negative. Shkalla e punësimit ra në 58%, duke u ulur me 0.3 pikë përqindje në raport vjetor, ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës zbriti në 76.2%.

Edhe pse papunësia totale ka pësuar një rënie të lehtë në 8.4%, problematik mbetet tregu i punës për të rinjtë. Sipas të dhënave, papunësia në këtë grupmoshë është rritur në 16.9% në fillim të vitit.

Ekspertët vlerësojnë se sfida kryesore mbetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe përfshirja më e gjerë e të rinjve në tregun e punës, në mënyrë që rritja e pagave të mos mbetet një fenomen i shkëputur nga zhvillimi i punësimit.

EMISIONET