Treni Durrës-Prishtinë ngec në KPP/ Rrëzohet tenderi, kërkohet garë e drejtë. Një kompani, u përjashtua në shkelje të ligjit
Komisioni i Prokurimeve Publike ka bllokuar tenderin për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Në prokurimin me vlere 1.7 mln euro, KPP ka vërejtur se autoriteti kontraktor nuk ka zbatuar ligjin për skualifikimin e njërit prej konkurrenteve.
Komisioni i Prokurimeve Publike ka anuluar tenderin për studimin e fizibilitetit për projektin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Arsyeja është skualifikimi, sipas KPP i padrejtë e njërit prej konkurrentëve që kishte marrë pjesë në garë.
Prokurimi me vlerë 200 milionë lekë, ose 1.7 milionë euro është i hapur nga Hekurudha Shqiptare SH.A, shoqëri kjo nën varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Procedura është ankimuar nga bashkimi i operatorëve i përbërë nga austriakia “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH dhe shqiptarja “Abkons”.
Subjektet në fjalë janë përjashtuar me arsyen se kompania e huaj nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2021 dhe se i kishte përfunduar afati certifikatës së cilësisë.
Pas shqyrtimit, KPP ka vërejtur se autoriteti kontraktor ka gjykuar në mënyrë sipërfaqësore ligjin për certifikatën e cilësisë, pasi ky kriter plotësohet nga anëtari tjetër i bashkimit të operatorëve dhe quhet i plotësuar.
Gjithashtu edhe për arsyen tjetër, koorporata nuk ka zbatuar ligjin e prokurimeve publike që të kërkonte sqarim për pasqyrat financiare, pasi në hetimin që ka bërë KPP rezulton që kompania të jetë e rregullt.
Ky është një rast se si institucionet në vend shkelin ligjin në tenderët publik, që lë hapësirë për dyshime se mund të jetë një “kostum i qepur me porosi”.



