Të ardhurat nga procesi i rivlerësimit arritën në 3,9 miliardë lekë në vetëm dy muaj

Të ardhurat nga procesi i rivlerësimit arritën në 3,9

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se procesi i rivlerësimit të pasurive po ecën me ritme pozitive, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit vetëm në dy muaj nga nisja e tij.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj theksoi se interesi i qytetarëve për këtë proces ka qenë i lartë dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave buxhetore.

“Në vetëm dy muaj nga momenti i nisjes së procesit, të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit kapin vlerën e 3,9 miliardë lekëve, ose rreth 40 milionë euro, çka në fakt dëshmon një interes të lartë të qytetarëve për këtë proces, por nga ana tjetër duke kontribuar edhe në rritjen e të ardhurave buxhetore”, u shpreh ministri.

Sipas Malajt, krahasimi me procesin e mëparshëm të rivlerësimit, të zhvilluar në vitin 2022, tregon se rezultatet e këtij viti janë dukshëm më të mira.

“Nëse do të bënim një krahasim të procesit të rivlerësimit gjatë vitit 2026 me vitin 2022, kur u realizua rivlerësimi i fundit në vend, do të vërejmë se kemi një ecuri më të mirë të të ardhurave të realizuara nga ky proces. Në vitin 2022 realizuam rreth 5,6 miliardë lekë në total nga ky proces, ndërkohë që në vetëm dy muaj gjatë këtij viti kemi realizuar 3,9 miliardë lekë”, tha ai.

Ministri i Financave vlerësoi se ritmi i deritanishëm i realizimit tregon se procesi aktual pritet të tejkalojë rezultatet e regjistruara katër vite më parë.

“Kjo dëshmon se ky proces deri në fund të vitit do të jetë më pozitiv se ai i vitit 2022”, theksoi Malaj.

EMISIONET