SHQIPËRIA MAGNET PËR TURISTËT! Media britanike vlerëson Shqipërinë si destinacion turistik me çmime tërheqëse.

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare. E përditshmja britanike The Independent e rendit vendin tonë mes destinacioneve më tërheqëse për pushime, duke vlerësuar bukuritë natyrore, plazhet e kristalta dhe kostot e përballueshme për turistët.

Shqipëria vazhdon të forcojë pozitat e saj në hartën e turizmit ndërkombëtar.

E përditshmja britanike "The Independent" i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë, duke i bërë thirrje turistëve që të mos e lënë pa vizituar.

Sipas medias britanike, Shqipëria është kthyer në një destinacion në trend falë kombinimit të plazheve të mrekullueshme, qyteteve të qeta dhe çmimeve më të ulëta krahasuar me vende të njohura si Greqia, Kroacia apo Italia.

Në artikull veçohet Riviera Shqiptare, ku destinacione si Ksamil, Sarandë dhe Himarë tërheqin vizitorë nga e gjithë bota me ujërat e kristalta, plazhet e pastra dhe akomodimin e përballueshëm.

Por Shqipëria nuk ofron vetëm bregdet. The Independent vlerëson edhe fshatrat malorë, qytetet historike dhe kryeqytetin Tiranë, si destinacione që pasurojnë përvojën e turistëve.

Sipas artikullit, rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vendit. Pamjet e rivierës shqiptare shpërndahen vazhdimisht në TikTok dhe Instagram, ndërsa plazhet e Ksamilit krahasohen shpesh me Maldivet për shkak të rërës së bardhë dhe ujit të kaltër.

Një tjetër avantazh i Shqipërisë mbeten çmimet e favorshme. Akomodimi, ushqimi dhe shërbimet turistike kushtojnë më pak se në shumë destinacione të tjera mesdhetare, duke e bërë vendin një zgjedhje tërheqëse për pushuesit.

Në përfundim, media britanike rekomandon muajt maj, qershor dhe shtator si periudhat më të mira për të vizituar Shqipërinë, kur moti është i favorshëm dhe fluksi i turistëve është më i ulët se gjatë sezonit kulmor të verës.

EMISIONET