BE diskuton anëtarësimin me faza, Gjipali: Shqipëria mund të integrohet plotësisht nëse përshpejton reformat

BE diskuton anëtarësimin me faza, Gjipali: Shqipëria mund të

Diskutimet e fundit në Bashkimin Evropian për një model të ri zgjerimi me faza nuk përjashtojnë mundësinë që Shqipëria të anëtarësohet plotësisht në union, nëse arrin të avancojë me ritëm të shpejtë në procesin e negociatave.

Në një intervistë për Ora News, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement Albania, u ndal te propozimi i mbështetur nga disa prej vendeve më të fuqishme të BE-së, i cili parashikon një integrim gradual të vendeve kandidate dhe mekanizma më të fortë për garantimin e shtetit të së drejtës.

Sipas Gjipalit, ideja e anëtarësimit me faza nuk është e re në diskutimet evropiane, por mbështetja e saj nga shtete si Gjermania, Franca dhe Holanda e bën atë shumë më të rëndësishme dhe me gjasa reale për t'u materializuar.

Ai shpjegoi se Bashkimi Evropian po kërkon alternativa për të shmangur bllokimin e zgjerimit në një kohë kur në disa vende anëtare po rritet ndikimi i partive të djathta dhe forcave euroskeptike.

Megjithatë, Gjipali theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy nga vendet më të avancuara në procesin e integrimit, mund të mos preken nga një skemë e tillë nëse arrijnë të përmbushin me shpejtësi detyrimet e tyre.

Duke komentuar objektivin për mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, ai u shpreh optimist për ecurinë e procesit, duke nënvizuar se me miratimin e raportit IBAR, Shqipëria ka hyrë në fazën vendimtare të negociatave.

"Nuk ka më pengesa nga Bashkimi Evropian për mbylljen e kapitujve. Çdo vonesë nga ky moment e tutje do të jetë përgjegjësi e institucioneve shqiptare dhe e ritmit të reformave që do të ndërmerren", deklaroi Gjipali.

Sipas tij, muajt dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Shqipëria do të arrijë të përfitojë nga momenti pozitiv i zgjerimit dhe të sigurojë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Gledis Gjipali: Por ende jemi në momente të diskutimit. Është, mendoj që është një dokument, një propozim i rëndësishëm, sidomos duke patur parasysh që vende të ndryshme të Bashkimit Europian mund të hasen në të ardhmen me qeverisje të cilat janë më skeptike ndaj zgjerimit, pra me një influencë më të madhe të grupeve të djathta kryesisht, po dhe partive të tjera që nuk janë mbështetëse të zgjerimit të mëtejshëm. Dhe në një situatë të tillë, propozime të cilat ofrojnë një anëtarësim me faza apo të pjesshëm mund të jenë rrugëzgjidhja për vendet e ndryshme. Duhet patur parasysh gjithashtu që bëhet fjalë për të gjitha vendet e Ballkanit, plus Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi. Pra është një propozim më i gjerë se për Ballkanin, apo se vendet si Mali i Zi dhe Shqipëria që janë më përpara tashmë në proces.Dhe i trajton të gjitha vendet në këtë kuadër. Kjo nuk përjashton faktin që nëse procesi ecën siç duhet dhe shpejt për Malin e Zi dhe Shqipërinë, mund të anëtarësohen pa u bërë pjesë e kësaj qasje të re.

EMISIONET