Aksident ajror në Pakistan / Rrëzohet helikopteri ushtarak Mi-17, nuk ka asnjë të mbijetuar

Një helikopter ushtarak i Pakistanit është rrëzuar në rajonin e Kashmirit pakistanez, duke shkaktuar humbjen e jetës së të gjithë personave që ndodheshin në bord.
Sipas një deklarate të ushtrisë pakistaneze, helikopteri tip Mi-17 u rrëzua pranë Muzaffarabadit gjatë ngritjes, si pasojë e një defekti teknik. Autoritetet konfirmuan se nga aksidenti nuk ka asnjë të mbijetuar.
Ushtria nuk bëri të ditur numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord të helikopterit, i cili ka një kapacitet prej rreth 30 personash.
Dëshmitarët në vendngjarje raportuan se mjeti ajror u përfshi nga flakët menjëherë pas rrëzimit, ndërsa ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të siguruar zonën.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.


