Shiten 110 apartamentet e para në portin e Durrësit, kompania flet për boom kërkesash, ja kush po i blen

Pavarësisht se nuk ka një datë kur do të nisë ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit dhe ende vendimi është zyrtarizuar, atje kanë nisur të enjten (8 dhjetor) shitjet e apartamenteve. 1800 euro metri katror është vlera me të cilën nisin çmimet, ndërsa qytetarët shprehen se nuk kanë asnjë mundësi që të blejnë një shtëpi atje.

Në kulmin e debateve për projektin e Portit të Durrësit dhe në kohën kur asnjë metër kub beton nuk është hedhur ende për nisjen e ndërtimit, apartamentet atje kanë nisur duke u shitur që nga e enjta e 8 dhjetorit.

Çmimi fillestar mësohet se do të jetë 1800 euro metri katror për një apartament, ndërsa që në ditën e parë janë shitur 2 godina disa katëshe.

Përfaqësues të kompanisë thanë se nëse nuk do të zhvillohet projekti, paratë do ju kthehen mbrapsht.

"Fillon nga 110 mijë euro, një 1+1 63 metra katrorë deri në çmime më të larta, sidomos ato që janë 100%  pamje ballore. 110 apartamentet e para, është hapur sot në 8 të mëngjesit dhe janë drejt përfundimit. Ka një boom kërkesash dhe nga shtetas të huaj."

Për qytetarët durrsakë kjo vlerë e shitjes së apartamenteve është marrëzi pasi sipas tyre asnjë qytetar nuk mundet të blejë në keto çmime.

"Për rrogat në Shqipëri çmimet janë shumë të shtrenjta, duhet të punojmë shumë vite si familje për të blerë një banesë".

Projekti i kritikuar pritet të shkojë deri në 2 miliard euro, ndërsa Durrës Yacht e Marina, është një shoqëri e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara Arabe të kryesuara nga Grupi Emar, të cilat kanë nisur një fushatë të sponsorizuar edhe në rrjetet sociale ku reklamohet shitja e apartamenteve.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET