Sektori i industrisë në vështirësi, të ardhurat në rënie dyshifrore në 3-mujorin e dytë
Nënçmimi i euros në këmbim me lekun, rritja e kostove nga paga minimale dhe frenimi i kërkesës në tregjet e huaja ka përkeqësuar të ardhurat në sektorin e industrisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, të ardhurat në bizneset e prodhimit të këpucëve shënuan rënie vjetore me 12.7 për qind sipas krahasimit të indeksit të shitjeve në vlerë.
Situata ishte pak më pozitive në fabrikat e veshjeve ku indeksi i shitjeve në vlerë shënoi rritje vjetore 3.2 për qind në tremujorin e dytë.
Sektorë të tjerë të industrisë përpunuese ishin më rënie të fortë te të ardhurave.
Fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të drurit shënuan rënie vjetore me 12.5 për qind të indeksit të shitjeve në vlerë në prill-qershor 2023 dhe po në të njëjtën përqindje shënuan rënie edhe fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të letrës.
Bizneset në sektorin e prodhimit po kalojnë një periudhë të vështirë prej nënçmimit drastik të euros në këmbim me lekun këtë vit.
Një njërin krah humbjet nga kursi i këmbimit në tjetrin rritja e pagës minimale po i bëjnë prodhimet shqiptare për eksportet jo konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Humbjet nga kursi i këmbimit kapën 10 për qind të xhiros në muaj të caktuar të vitit 2023, ndërsa paga minimale nga 32 mijë lekë në prill 2022 arriti në 40 mijë lekë në prill 2023.
Përkeqësimi i sektorit të prodhimit dha ndikime negative edhe në punësim. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e dytë punësimi në sektorin e industrisë shënoi rënie me 2,7 % për të dytin tremujor radhazi. Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në që tremujorin e tretë të vitit 2022 ku rënia nisi me 0.2 për qind pas një rritje me rreth 7% përgjatë gjithë vitit.
Përveç këtyre vështirësive sektori i industrisë po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për shkak të kushteve më të vështira dhe pagave rreth niveleve minimale, punonjësit e industrisë po zhvendosen drejt sektorëve të tjerë me paga me të lartë.
Ngjarjet pas luftës në Ukrainë përveç çmimeve të larta kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë shumë klientë europian po kërkojë të zhvendosin prodhimin në vende të tjera si Uzbekistani, India dhe Afrika Veriore. Kjo tendencë ka bërë që të ulen porositë në fabrikat shqiptare duke bërë që disa nënkontraktorë në industrinë e tekstilit të këpucëve të falimentojnë./ Monitor