E PLOTË/ Rama në “Clinton Global Initiative”: Nuk do ishim këtu nëse nuk do kishim ndihmuar me afganët

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin vjetor të  “Iniciativës Globale Klinton”, që u mbajt në New York.

E themeluar në vitin 2005 nga Presidenti Bill Clinton, “Clinton Global Initiative” CGI mbledh liderë shtetesh nga mbarë bota, si dhe aktorë të rëndësishëm të fushave të ndryshme në një përpjekje të përbashkët për të hartuar dhe zbatuar zgjidhjet më të mira për sfidat emergjente me të cilat përballet sot globi, të cilat në takimin e këtij e vit u fokusuan në ndryshimin e klimës, rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe barazinë shëndetësore.

Takimi 2023 u përqendrua në përpjekjet për të ruajtur dhe çuar përpara progresin e bërë në këtë drejtim, pavarësisht vështirësive që dalin, duke ndërmarrë angazhime konkrete për reagimin ndaj fatkeqësive, rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë. Kryeministri Rama ishte pjesë e njërit prej paneleve të “Clinton Global Initiative”

TAKIMI I PLOTË

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Unë besoj që nuk do të isha ftuar këtu në qoftë se nuk do të ishte për mënyrën se si ne arritëm të jepnim ndihmë për afganët në atë moment kaosi, gjithashtu dhe për atë që po përpiqemi të bëjmë në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria është anëtare e përkohshme dhe ku, besojeni apo jo, për herë të parë në historinë e Këshillit të Sigurimit, u ngrit nga ne çështja e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mundshëm në një mënyrë më sistemore midis sektorit privat dhe sektorit publik për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë humanitare.

Ka një tjetër fakt për të cilin kemi marrë mbështetje mjaft të rëndësishme për këtë ide nga një organizatë me të cilin jemi njohur gjatë kësaj krize në Afganistan, “Futures” dhe me ta ne tashmë po marrim edhe disa aktorë mjaft të mëdhenj dhe t’i japim jetë një platforme që çdokush në këtë botë donatorësh, kompanish e vullnetarësh mund të marrin informacion për nevojat, për kë po bën çfarë, për ku është e nevojshme ndihma dhe sigurisht, përmes kësaj platforme të mobilizohen më shumë financime sepse ajo çfarë kemi arritur të kuptojmë gjatë këtij ushtrimi është se në fakt, nevojat në nivel humanitar janë shumë më tepër sesa 55 miliardë këtë vit dhe ajo çfarë është mbledhur është më pak se 11 miliardë. Hendeku pra është shumë i madh dhe nevoja për bashkërendim është e jashtëzakonshme.

Për t’iu kthyer momentit kur u ekspozuam ndaj kësaj situate kaotike në Afganistan, më duhet ta them që ishte tronditëse për mua, për ne sepse nuk e imagjinonim dot sesi të gjitha këto vende të mëdha jo vetëm po largoheshin nga ky vend, por po linin pas çdokënd dhe gjithçka dhe as nuk po mendonin se çfarë do të ndodhte me të gjitha këto gra të cilat kishin vënë veten në rrezik. Gjithë këta persona që kishin punuar për ne dhe kur flas për ne është sepse Shqipëria është anëtare e NATO dhe ka qenë pjesë e misionit atje dhe çfarë do të ndodhte me të gjithë këta njerëz të cilët ishin ekspozuar si armiqtë e ardhshëm të regjimit të ri aty. Duke u besuar ëndrrave që ne shitëm, duke u besuar të ardhmes që ne bëmë të ëndërronin. Më pas morëm disa kërkesa krejt befas nga disa prej organizatave të përfshira, gjithashtu edhe nga senatorja Klinton, gjithashtu edhe nga të tjerë për t’i pritur këta njerëz në Shqipëri. Po, nuk jemi mes më të mëdhenjve e mes më të pasurve, por duhet tu hapnim dyert këtyre njerëzve sepse ishte një turp t’i linim në duart e këtyre barbarëve. Prej asaj kohe mësuam se sa e rëndësishme ishte qe të kishim diçka më sistemore, më të gatshme për tu përgjigjur dhe jo për të parë gjithë këtë kaos. Ne besojmë në Shqipëri që jemi kaotikë, por kur pashë se sa kaotike mund të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thashë: “o Zot sa mirë jemi”.

 - Jam kureshtare për përvojën tuaj kur Shqipëria u përball më katastrofën e saj. Si ndihmon kjo nismë që po përpiqemi të krijoni për të trajtuar këto sfida?

Kryeministri Edi Rama: Ne vërtetë shpresojmë që kjo nismë do të zhvillohet dhe kjo urë midis të gjithë njerëzve vullnetmirë, kompanive vullnetmira, organizatave vullnetmira dhe Kombeve të Bashkuara do të ndërtohet duke tejkaluar edhe paragjykimin që është aty domethënë, që Shtetet e Bashkuara janë të ngadalta e kështu me radhë por shpresojmë që kjo do të zhvillohet. Kur u goditëm nga tërmeti qemë të bekuar se patëm miq dhe nuk na lanë vetëm as Bashkimi Europian, as Turqia, nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga shumë të tjerë të cilët na ndihmuan ndërkohë që qysh prej momentit të parë ishte e jashtëzakonshme të shihje ekipet e shpëtimit të vinin nga mbarë Europa e madje dhe nga Izraeli për të të ndihmuar me shpëtimin e njerëzve që ishin ende gjallë nën rrënoja. Po kështu ishte e jashtëzakonshme të shihje vetë shqiptaret nga të gjitha vendet ku jetojmë, sepse ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo dhe ju e dini ndoshta më mirë se unë se nëqoftëse doni të hani mirë, shkoni në një restorant të mirë shqiptar në Neë York dhe gjithë ndihma prej tyre ishte e jashtëzakonshme.

 - Kryeministër, lidhur me këtë nismë që ju kërkoni të përdorni për të mobilizuar fondet, do ta drejtoni tek grupet që janë në vijë të parë ?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ne po bëjmë në mënyrë mjaft modeste pjesën tonë dhe po përfitojmë nga kjo mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht të qenit anëtar të Këshillit të Sigurimit, por ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi Shqipëria. Kështu që edhe pse jam shumë i gjatë, jemi shumë të vegjël për të imponuar ndonjë gjë apo për të udhëzuar botën drejt diçkaje. Ne thjeshtë besojmë që deri më tani ia kemi dalë të krijojmë sinergjinë e duhur me këto organizata shumë të mëdha, shumë më të mëdha se ne, siç thashë me “Future”, Google është futur në këtë aleancë që do të thoja është një start-up, është fillestare dhe me shprese dhe të tjerë do të bashkohen me ne. Çdo kush mund të sjellë jo vetëm paratë, donacionet por edhe njohuritë sepse Google mund të kontribuojë shumë për shembull, sa për t’ju dhënë një shembull me aspektin teknologjik. Dikush tjetër mund të kontribuojë shumë në aspektin e shpërndarjes dhe kështu me radhë, pra ngritja e një platforme ku të gjithë mund të kenë qasje, ku të gjithë mund të informohen, ku të gjithë mund të shohin në mënyrë transparente kush bën çfarë dhe sa është nevoja për të çuar diku dhe sa është nevoja për të shpenzuar në një vend tjetër. Është diçka shumë e mirë për të pasur diçka në nivel sistemi, që nuk është herë pas here e njëjta situatë ku ndërkohë që ndodh katastrofa e madhe të gjithë vrapojnë lartë e poshtë pa e ditur çfarë bëjnë të tjerët apo çfarë mund të bëjnë të tjerët.

Në botën ku jetojmë nuk duket sikur do të bëhet më mirë, duket sikur do të bëhet gjithmonë e më keq kështu që duhet të përgatitemi shumë më mirë për të përballuar të gjithë këtë bela.

EMISIONET