Rritja e pagave s’prek borxhin, Ibrahimaj: Reforma e rrogave e bonusi për pensionistët i parashikuar
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, është shprehur se rritja e pagave dhe bonusi për pensionistët nuk do të ndikojë në nivelin e borxhit publik. Në konferencën për mediat megjithatë ajo shtoi se qeveria po përgatitet të marrë një tjetër borxh. Sa i përket incineratorëve, kreu i financave shtoi se pagesat do të vijojnë deri sa nuk ka një vendim gjyqësor për ti ndalur.
Premtimi i kryeministrit Edi Rama për të rritur pagën mesatare në 900 euro brenda dy vitesh sipas Ministres së Financave nuk do të ndikojë në nivelin e borxhit publik.
Në konferencën për mediat, Delina Ibrahimaj, shprehet se gjithçka është brenda parashikimit.
"Po ndërmarrim një reformë madhore për rritjen e pagave në sektorin publik. Kjo reformë do të jetë e shpërndarë në dy vite. Nuk do ti ndikojnë në qëndrueshmërisë fiskale që lidhen me nivelin e borxhit."
Ndikim në financat e shtetit nuk do të ketë as dhënia e 5 mijë lekë bonus për pensionistët, pasi të ardhurat vijnë nga taksa e jashtëzakonshme.
"Të ardhura nga mbledhja e taksës së jashtëzakonshme rreth 8 mld lekë. Masa e parë sociale për të cilën po ndërhyjmë është bonusi i pensionistëve".
Duke iu përgjigjur edhe dosjes së nxehtë të incineratorëve, ajo shton se edhe për ta pagesat do të vazhdojnë.
"Sa kohë nuk ka një vendim të organeve ligjzbatuese apo ligjvënëse për pezullimin e pagesave të atij shërbimi që vijon të kryhet, do të vijojnë të kryhen dhe pagesat."
Më tej ajo tha se sapo vendi ka marrë një kredi nga Banka Botërore, por shtoi se do të merret edhe një tjetër hua.
"Sapo kemi përmbyllur një kredi me BB. Sa i takon Eurobondit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kryer të gjithë procedurat. Të dalim në treg për huamarrje në momentin më të përshtatshëm, kur normat e interesit të jenë më të përshtatshme."
Megjithatë qeveria pret të ardhura dhe nga amnistia fiskale, për të cilën Ibrahimaj shton se po punohet me ndërkombëtarët për draftin final.