Rriten kërkesat për azil/ Grupmosha 30-39 vjeç braktis shtetësinë shqiptare

Ndërsa Shqipëria përballet me sfidat e vazhdueshme të demografisë, të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave për vitin 2025 hedhin dritë mbi dy fenomene shqetësuese, rritjen e fluksit të azilkërkuesve të huaj dhe një tendencë të theksuar të largimit të shtetasve shqiptarë.
Gjatë vitit 2025 Shqipëria regjistroi 144 azilkërkues, një rritje prej 40 personash krahasuar me vitin 2024.
Ajo që bie në sy është përqendrimi i lartë i kërkesave gjatë muajve të verës dhe fillimvjeshtës. Statistikat tregojnë se gushti, shtatori dhe tetori mbajnë peshën kryesore, duke përbërë së bashku 63,2% të numrit total të kërkesave për azil gjatë gjithë vitit.
Pjesa dërrmuese e këtyre azilkërkuesve vijnë nga Egjipti me 39,6%, ndjekur nga Afganistani me 11,8% dhe Palestina me 9,7%.

Po ashtu raporti nxjerr në pah një realitet kritik sa i përket shtetësisë shqiptare. Në vitin 2025 173 persona kanë zgjedhur të lënë shtetësinë shqiptare.
Grupmosha 30-39 vjeç përbën grupin më të madh që hoqi dorë nga pasaporta shqiptare, me plot 43,9% të totalit të atyre që kanë ndërmarrë këtë hap.

Sa i përket fitimit të shtetësisë 495 persona e kanë fituar atë gjatë vitit 2025 ku shumica dërrmuese 56,1% vijnë nga Kosova, të ndjekur nga shtetasit turq me 20,1%.
Ky raport i INSTAT shërben si një këmbanë alarmi për treguesit demografikë dhe dinamikat migratore që po transformojnë strukturën sociale të vendit./ CNA


