Qytetari denoncon “Vodafone” për vjedhje të energjisë. Kompania hesht, nuk jep informacion
Në redaksinë e Tv Ora News ka mbërritur denoncimi se kompania “Vodafone” e merr në menyrë të jashtëligjshme energjinë elektrike.
Qytetari që na adresoi problematikën shprehet:
“Dua të denoncoj në televizionin tuaj një vjedhje që po na bëhet.
Te ura që është në krah të Kishës pranë Piramidës, VODAFONI ka vënë reklamën e vet mbi urë. Kompania në mënyrë të jashtëligjshme vjedh dritat, sepse nuk ka asnjë sahat për energjinë që harxhon.
Të guxojë një qytetar të marrë nga dritat e rrugës dhe perfundon 3 vjet në burg për vjedhje, kurse “Vodafone” merr dritë nga rruga dhe askush nuk e ngacmon. Kjo nuk është e drejtë. Ju lutem ndiqeni këtë problematikë se kjo është vjedhje ne mes te ditës nga keto qe fitojne miliona”.
Fillimisht, Tv Ora News i ka dërguar kompanisë “Vodafone” një kërkesë për informacion ku parashtrohet pyetja se nga e merr energjinë elektrike logo e “Vodafone”; dhe nëse ka ose jo një matës që e regjistron konsumin e energjisë?
Ky është kuponi postar që shkresa jonë u dërgua te kjo kompani, por na çudit fakti që “Vodafone” nuk kthen asnjë përgjigje. “Vodafone” hesht dhe tregohet hermetik me median. Heshtja ka shumë pikëpyetje brenda, por pavarësisht kësaj, Tv Ora News iu drejtua me një tjetër shkresë OSHEE-së.
Ky institucion na bën me dije se “Vodafone” nuk ka kontratë me OSHEE-së, pasi reklama është e lidhur me rrjetin e brendshëm të ndriçimit të rrugës dhe furnizohet me energji elektrike nga Drejtoria e Përgjithshme e Ndriçimit Publik.
Sikur të mos mjaftojë fakti që një hapësirë publike brendohet me logon e “Vodafone”, ajo nuk paguan asnjë qindarkë për energjinë që harxhon.
Për të qenë transparentë me të gjitha palët, Tv Ora News i ka dërguar një kërkesë për informacion Drejtorisë së Ndriçimit Publik ku kërkojmë informacion nëse ka një kontratë midis këtij institucioni dhe “Vodafone” për furnizimin me energji elektrike?!
Drejtoria e Ndriçimit Publik edhe pse e ka detyrim ligjor dhënien e informacionit nuk na kthen asnjë përgjigjie.
Mungesa e transparencës së Vodafonit dhe institucioneve, bën që të kemi dyshime të arsyeshme se kjo kompani shfrytëzon ndriçimin publik dhe nuk paguan asnjë tarifë.
Tv Ora News i bën thirrje kompanisë telefonike të bëjë transparencë me median dhe qytetarët se nga furnizohet me energji elekrike dhe nëse e paguan, ose jo konsumin e saj.