Qeveria miraton rregulla të reja për kualifikimin e audituesve të brendshëm në sektorin publik

Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime dhe shtesa në vendimin për organizimin, funksionimin dhe përbërjen e Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm në sektorin publik, si dhe për përcaktimin e tarifave të certifikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm profesional.
Ndryshimet përfshijnë përbërjen e komisionit me anëtarë të certifikuar dhe me eksperiencë në mësimdhënie, detyrimet për raportimin e rezultateve të provimeve të certifikimit, si dhe përmirësime në procedurat e certifikimit dhe trajnimit të audituesve të brendshëm.
“Komisioni i Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm përbëhet nga anëtarë nga fusha e auditimit, të përzgjedhur nga ministri përgjegjës për financat, përkatësisht: një anëtar, përfaqësues nga organizatat profesionale të audituesve të brendshëm në Shqipëri; një anëtar nga fusha e auditimit të brendshëm në sektorin publik; një anëtar, përfaqësues nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në ministrinë përgjegjëse për financat; një anëtar nga trupa e personelit akademik në fushën e auditimit nga institucionet e arsimit të lartë; një anëtar, përfaqësues nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm në ministrinë përgjegjëse për financat”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, u përcaktua që mbikëqyrësit e sallave të provimeve duhet të jenë pjesë e administratës publike, ndërsa terminologjia e përdorur në vendim u përditësua në përputhje me standardet aktuale.


