Kokona: Modernizimi i rezidencave qeveritare, ndikim në turizëm dhe ekonomi
Sot në Tiranë u zhvillua eventi “Hospitality Albania”, ku 7 finalistët e fazës II paraqitën përpara një jurie ndërkombëtare projekt-idetë arkitekturore për rimëkëmbjen dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, nga struktura të amortizuara me kosto të lartë mirëmbajtjeje, në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme.
Duke marrë fjalën në këtë takim drejtorja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona tha se, “sot përmes zgjedhjes së studios fituese dhe skuadrës që do të realizojë projektin arkitekturor të vilës në Vlorë dhe Velipojë si struktura akomoduese elitare shënojmë një hap të rëndësishëm me ndikim në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vend”.
Kokona vuri në dukje se, Korporata Shqiptare e Investimeve, si një nga aktorët kryesorë në promovimin e investimeve strategjike, është një forcë lëvizëse në transformimin e aseteve kombëtare në burim të qëndrueshëm të rritjes.
“Projekti ‘Hospitality Albania’ është një tjetër provë e këtij përkushtimi, ku ne nuk riaktivizojmë thjesht asete të nënshfrytëzuara, por krijojmë vlerë të qëndrueshme e të përhershme për ekonominë dhe turizmin shqiptar. Ky projekt synon ripërdorimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, të cilat aktualisht janë struktura të amortizuara me përdorim sporadik dhe kërkesa të larta për mirëmbajtje, duke i kthyer ato në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme”, theksoi Kokona gjatë fjalës së saj.
Sipas saj, godina të tjera qeveritare në Gjirokastër, Kukës e qytete të tjera do do jenë gjithashtu pjesë e këtij projekti investimi në muajt në vijim.
Drejtorja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, tha se, “nisma synon të çlirojë dhe të maksimizojë potencialin e këtyre aseteve të veçanta, duke i integruar në tregun fitimprurës global të turizmit, një sektor kyç për të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë”.
“Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona të nënshfrytëzuara në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror. Përmes kësaj nisme, synohet krijimi i një precedenti për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikas të pronave shtetërore, duke kombinuar arkitekturën bashkëkohore dhe inovacionin me mikpritjen shqiptare, natyrën e zhvillimin e qëndrueshëm”, u shpreh Kokona.
Hospitality Albania realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë asetet e tij dhe të përfitojë godina të standardeve bashkëkohore, dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive në aktivitetin e menaxhimit të strukturave hoteliere, dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit.
Ajo e cilësoi eventin me një peshë të veçantë që zhvillohet në vigjilje të “The bread and heart festival. Bring some salt pls” një aktivitet madhor i mirëpritur në Shqipërinë e trasformimit urban që, siç tha Kokona, “filozofia dhe kapacitetet e ekselencave botërore në arkitekturë, inxhinieri e art po i japin qyteteve tona një vlerë unikale nën drejtimin e institucioneve të linjës”.
Kokona siguroj që AIC do të vazhdojë të garantojë transparencë dhe profesionalizëm në çdo hap e në çdo punë të saj.


