Porti i Durrësit vlerëson kontributin e profesionistëve të detit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Detarëve, Porti i Durrësit ka vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të detarëve në garantimin e funksionimit të sigurt dhe efikas të transportit detar, një nga shtyllat kryesore të tregtisë ndërkombëtare.
Kjo ditë shënohet çdo vit me iniciativën e International Maritime Organization (IMO), e cila për vitin 2026 ka përzgjedhur temën “Carrying world trade. Carrying the risks” (“Në shërbim të tregtisë globale, përballë sfidave dhe rreziqeve të detit”).
Sipas Autoritetit Portual Durrës, tema e këtij viti vë në qendër rolin jetik të detarëve dhe sakrificat që shoqërojnë profesionin e tyre, duke nisur nga siguria në lundrim dhe mbrojtja e jetës në det, deri te garantimi i qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të furnizimit.
Si porta kryesore detare e vendit, Porti i Durrësit thekson se mbështet vazhdimisht komunitetin detar përmes promovimit të zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe forcimit të kulturës së sigurisë në të gjitha aktivitetet portuale dhe detare.
Në një sektor ku profesionalizmi, kompetenca teknike dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare janë elementë thelbësorë, kontributi i detarëve mbetet vendimtar për funksionimin e sigurt të transportit ujor dhe vijimësinë e ekonomisë globale.
Me rastin e kësaj dite, Porti i Durrësit ka shprehur mirënjohje për të gjithë detarët, duke vlerësuar përkushtimin, aftësitë dhe përgjegjësinë e tyre në mbajtjen funksionale të rrugëve të tregtisë botërore dhe në zhvillimin e sektorit detar e portual.

