Qeveria: Paga mesatare u rrit nga 321,7 euro në 2013-ën, në 935 euro në 2026-ën

Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se gjatë periudhës 2013–2026, të ardhurat e qytetarëve shqiptarë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga MIA, paga mesatare bruto në Shqipëri është rritur nga 321,7 euro në vitin 2013 në 935 euro në vitin 2026. Në sektorin publik, sipas MIA-s, paga mesatare është rritur nga 371,8 euro në 2013 në 1094 euro në 2026.
Ndërkohë, paga minimale ka pësuar gjithashtu rritje, duke kaluar nga 22.000 lekë në 50.000 lekë gjatë kësaj periudhe.
MIA thekson se deri në vitin 2030 paga mesatare e përgjithshme në sektorin privat dhe publik, parashikohet të jetë 1200 euro, ndërsa në sektorin publik parashikohet të jetë 1300 euro
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, këto zhvillime lidhen me politikat e ndjekura për formalizimin e ekonomisë, rritjen e punësimit dhe përmirësimin gradual të standardit të jetesës.
“Një drejtim i qartë ekonomik që synon rritjen e të ardhurave dhe forcimin e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare”, thekson MIA.


