Në kërkim të kartës/ Studentët e Universitetit të Korçës: Prej 5 vitesh na e premtojnë!
Karta e studentit është një mjet që iu vjen në ndihmë studentëve për të aksesuar shërbimet publike dhe private me kosto te reduktuar. Në Korçë, studentëve të Universiteti atje, karta iu është premtuar prej 5 vitesh, por që nuk është bërë asnjëherë realitet.
Prej vitesh studentët e Universitetit “Fan Noli” të Korçës kanë si kërkesë kartën e studentit.
Autoritetet qendrore dhe lokale, e kanë premtuar prej vitesh, por një gjë e tillë nuk është bërë kurrë realitet.
Vetë studentët shprehen për domosdoshmërin e kartës së studentit.
“Duke marrë parasysh që shumica e studentëve në Universitetin e Korçës vijnë nga zonat rurale, ne paraqitëm kërkesat për kartën e studentit që të paktën transporti, ose qëndrimi në konvikte të kishte një përgjysmim. Dhe së bashku me këto kërkuam që edhe monumentet e kulturës, muzetë apo teatri të kishte një përgjysmim të çmimeve të biletës. Ne ia kërkuam këto në një takim që patëm me kryeministrin që ai bëri në Universitetin e Korçës dhe me këshillin studentor, dhe këtë premtim u zotua ta realizonte nëpërmjet delegimit të kopetencave tek Bashkia e Korçës për shkak se në pikëpamjen e tij kjo ishte më shumë një kopetencë e bashkisë”, theksoi studentja.
Ka qene vetë bashkia e Korçës që prej vitesh ka thënë se karta e studentit ka qenë një iniciativë e këtij institucioni, por 5 vjet nga premtimi për herë të parë, ende nuk është bërë asgjë.
“Karta e studentit ka qenë një iniciativë e bashkisë shumë vite më parë, por nga të gjitha eksperiencat e vendeve që kanë universitet dhe që shpërndajnë kartë studenti, kjo kartë jepet nga universitetet. Kështu që jemi në krah të Universitetit “Fan Noli” në këtë iniciativë dhe do të jemi besoj të dy faktorët bashkë dhe besoj se në sezonin e ardhshëm akademikë studentët e Korçës do të jenë të pajisur me kartën e studentit”, tha zyrtarja e Bashkise.
Karta e studentit do të lehtësonte studentët në aksesimin ndaj shërbimeve publike por edhe private.