Çmimi i naftës shpërthen brenda minutës, Koçibellinj: Ky bordi nuk është hyjni, çfarë fshihet pas formulës së tij?
Rritja e çmimit të karburanteve vazhdon të jetë një shqetësim madhor për qytetarët dhe ekonominë shqiptare. Së fundmi, një rritje e menjëhershme dhe e ndjeshme e çmimit, ku brenda vetëm një minute çmimi u hodh nga 203 lekë në 218 lekë për litër, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe mekanizmat vendimmarrës të Bordit të Transparencës.
Aktivistja Suela Koçibellinj e ftuar në një bisedë për këtë çështje në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se për një ekonomi si kjo e Shqipërisë, e cila varet në masë të madhe nga importet, çdo lëvizje e çmimit të naftës krijon një “efekt zinxhir” të pashmangshëm.
Ajo tha se kostoja e lartë e karburantit nuk prek vetëm xhepin e drejtuesve të mjeteve, por përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve për të gjitha produktet e shportës dhe shërbimet, duke rënduar barrën mbi familjet shqiptare, veçanërisht ato në nevojë.
E në këtë analizë, Koçibellinj e kthen vëmendjen ndaj Bordit të Transparencës, vendimet e të cilit, sipas saj janë të paqarta. Rritja drastike e çmimit në një interval kohor kaq të shkurtër ka krijuar një ndjenjë pasigurie dhe ka forcuar kërkesën publike për më shumë transparencë. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: “Cila është formula që përdor ky bord?”.
Koçibellinj u shpreh se mungesa e një shpjegimi të qartë dhe publik mbi metodologjinë e llogaritjes së çmimit e bën vendimin të duket arbitrar.
Një tjetër pikë e rëndësishme është pesha e lartë e taksave në çmimin final të karburantit. Sipas analizave, një pjesë e konsiderueshme e kostos që paguajnë qytetarët, rreth 50%, përbëhet nga taksa, detyrime dhe akciza që shkojnë në arkën e shtetit. Kjo ka nxitur debatin se nëse qëllimi i bordit është vërtet mbrojtja e konsumatorit, atëherë qeveria duhet të konsiderojë një ulje automatike të taksave kur çmimet në bursat ndërkombëtare rriten. Një mekanizëm i tillë do të amortizonte goditjen për qytetarët dhe do të tregonte një vullnet real për të lehtësuar barrën financiare.
Krahasimi me vendet fqinje, si për shembull me Prizrenin ku karburanti është më i lirë dhe nuk ka taksa kalimi kufitar, e bën edhe më të theksuar ndjesinë e një kostoje të pajustifikuar në Shqipëri.
Ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese, thirrjet për transparencë, llogaridhënie dhe politika më mbrojtëse nga institucionet shtetërore bëhen gjithnjë e më të forta.
PJESË NGA BISEDA
Suela Koçibellinj: Atëherë, shembulli ishte nisur nga nafta, po ne e dimë shumë mirë që Shqipëria, ekonomia e Shqipërisë varet nga importi në pjesën më të madhe të saj dhe automatikisht nafta është ajo që bën të mundur ardhjen e importit në Shqipëri dhe ne do - s'do, me këtë rritjen e naftës që duket diçka që e shohim atë çmimin që ndryshon te karburantet, është efekt zinxhir. Pra ne do prekim efektin zinxhir. Tani, pse ishte reagimi im? Reagimi im e para erdhi si konsumator. Pra si një person që e konsumon vetë naftën për nevojat e veta, por absolutisht mbi të gjitha si një person që punon në terren dhe punon me grupe të ndryshme njerëzish në nevojë në Shqipërinë tonë dhe duke pasur gjithmonë parasysh se çfarë impakti do ketë tek ekonomia e tërë. Atëherë, pata një reagim që bëj thjesht një kalkulim shumë modest që nuk ka ndonjë filozofi shumë të madhe për të bërë një krahasim të Shqipërisë me shqiptarët që neve na rrethojnë në kufijtë tanë. Pra, me Prizrenin, me... Unë nisa kryesisht me Prizrenin duke qenë se me aty ne nuk kemi taksë për të kaluar, sepse ne mund të kemi edhe me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, po aty kemi një taksë për të kaluar me makinë. Do thuash ti po ky është një, ose pati dhe pretendime po ç'është ky krahasim, do bësh shumë kilometra. Shiko, unë e kuptoj dhe patjetër arrij të bëj një logjikë matematike që dhe siç thuhet që pjesa më e madhe e shpenzimeve që ka ose kostos që shkon për atë që ne paguajmë për karburantin, është taksa. Tani, dakord, në rregull. Dhe në një moment të bukur, deri në orën 10:00 pa një minutë, çmimi i karburantit ishte 203 lekë dhe në orën 10:01 ishte 218 lekë.
Po tani ky Bordi nuk është as hyjnia, nuk është as forca e mbinatyrshme dhe ka nevojë, sikur edhe respekt për këtë, për këtë qytetarin e këtij vendi që ende po mbijeton këtu, të bëhet një lloj transparence. Cila është formula e këtij bordi? Po cila është formula? Pra, a ka mundësi të shpjegohet cila është formula e këtij bordi? Pra, mua realisht kur diçka ndryshon kështu, më jep një lloj pasigurie nga mënyra se si funksionojnë institucionet tona. A kemi ne, po themi, një lloj teprice ose një lloj depozite nafte, që edhe me ligjin e Bashkimit Evropian duhet të jetë 90 ditë plus. Në Shqipëri ti këtë nuk e plotëson. Tani, u rrit çmimi në këtë nivel. Po pse nuk kemi ne një formulë e cila thotë që nëse çmimi ndryshon në bursë, ti të bësh një automatikisht ulje të taksave, sepse për sa kohë aty 50% janë taksa, detyrime, akcizë që shkon për shtetin, nëse ne ndihmojmë ose ne mendojmë që, ose nëse ashtu siç thuhet që bordi është për të kontrolluar çmimin në favor të qytetarëve.
NDIQNI BISEDËN E PLOTË NË STUDIO


