“Çmimet e ushqimeve po fluturojnë” – Kreu i Shoqatës së Agrobiznesit: Bordi ka ndikim të papërfillshëm
Ndërsa çmimi i naftës mbetet një shqetësim madhor për ekonominë dhe bujqësinë, efektiviteti i Bordit të Transparencës për të kontrolluar këtë kosto vihet në dyshim.
Kryetari i Shoqatës së Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, në studion e lajmeve në “Ora Neës”, u shpreh se ndikimi i këtij bordi është i kufizuar dhe nuk arrin të adresojë rrënjën e problemit, duke lënë hapësirë për një rritje zinxhir të çmimeve, veçanërisht tek produktet bujqësore.
Sipas Rrapajt, Bordi i Transparencës ka një rol tejet të kufizuar, duke mos mbuluar faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës, i cili përcaktohet kryesisht nga tregjet e importit.
Funksioni i tij kryesor mbetet frenimi i abuzuesve që tentojnë të përfitojnë duke vendosur çmime pa logjikë ekonomike. Megjithatë, aftësia e bordit për të ulur realisht çmimin e naftës, i cili aktualisht është i fiksuar në 218 lekë, konsiderohet "e papërfillshme" dhe me një ndikim "shumë të vogël" në treg.
Rritja e çmimeve nuk ndalet te karburanti. Rritja e ndjeshme e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendase ka një shpjegim të qartë dhe kompleks.
Arsyeja kryesore është kostoja e lartë e naftës, e cila zë rreth 40% të shpenzimeve totale në punimet e mekanizuara bujqësore. Kësaj i shtohet edhe rritja e çmimit të plehrave kimike, që ndikon drejtpërdrejt në rendimentin e prodhimit.
Përveç këtyre faktorëve ekonomikë, sektori i bujqësisë është përballur me një sërë vështirësish të tjera. Ngricat dhe përmbytjet e muajit janar, pasojat e luftës në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë krijuar një situatë të paparashikuar, duke rritur në mënyrë drastike kostot e prodhimit. Rrjedhimisht, kjo rritje e kostove është transferuar te konsumatori final përmes çmimeve më të larta.
Në këtë situatë komplekse, Rrapaj bën thirrje për një ndërhyrje më të fortë institucionale. Përveç Bordit të Transparencës, është e nevojshme që organet e monitorimit të tregut, administratat tatimore dhe Autoriteti i Konkurrencës të vihen në lëvizje për të kontrolluar tregun dhe për të parandaluar abuzimet nga individë që kërkojnë të përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga kriza.
PJESË NGA BISEDA
Sa efektiv është bordi i transparencës për mbajtjen nën kontroll të çmimit të naftës që është një nga kostot kryesore në sektorin e bujqësisë?
Agim Rrapaj: Për të thënë të vërtetën, Bordi i Transparencës mbulon një pjesë jo të rëndësishme të faktorëve që rrisin çmimin e naftës. Çmimi i naftës rritet realisht nga ata që ne na furnizojnë, duke pasur parasysh që gjithë sasinë ne e importojmë. Ndërsa Bordi i Transparencës mund të ndikojë tek ata abuzues të cilët në këtë situatë të vështirë mund dhe duan të përfitojnë duke vendosur çmime të pa logjikshme, pa logjikë ekonomike dhe duan të përfitojnë nga situata. Vetëm këtë mund të bëjë Bordi i Transparencës: Mund të rregullojë çmimin për sa i përket normës së fitimit, por asgjë tjetër nuk mund të bëjë për të ulur çmimin e naftës në nivelet që duhet dhe që ishte parashikuar më përpara, veçanërisht nga sektorët e ekonomisë së ushqimit. Sepse gama që ai vepron, hapësira që ai vepron është shumë e vogël. Në kuptimin që ai mund të ulë çmimin në nivele pothuaj të papërfillshme për sa i përket rritjes. Në raport me rritjen, ndikimi është shumë i vogël.
Dhe ashtu sikurse ne e kemi bërë të ditur që prej ditës së shtunë çmimi i naftës është fiksuar në nivelet e 218 lekëve. Këto ditë është vënë re edhe një rritje e çmimeve të prodhimeve vendase bujqësore. Pse ndodh kjo?
Agim Rrapaj: Kjo ndodh për disa arsye. Arsyeja e parë është që nafta që është rritur ndikon jashtëzakonisht shumë në koston e produkteve ushqimore. Sepse është një ndër shpenzimet kryesore në punimet e mekanizuara që ndikojnë pastaj tek prodhimet e ushqimit. Nafta zë 40% të totalit të shpenzimeve në strukturën e shpenzimeve për mekanikën bujqësore. Por, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me naftën, me rritjen e çmimit të naftës, kemi të bëjmë me rritjen e çmimit të plehrave kimike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë tek rendimenti. Dhe rritja e çmimit të plehrave kimike, rritja e çmimit të naftës, njëkohësisht edhe duke pasur parasysh që kemi ardhur nga dy situata të tjera të vështira, në janar ne kishim edhe ngricën edhe përmbytjet. Njëkohësisht lufta në Ukrainë përsëri ka pasur ndikimet e veta. Dhe njëkohësisht, duke pasur parasysh që filloi dhe lufta në Lindjen e Mesme, të gjitha këto së bashku bën që sektori të kalonte në një vështirësi të paparashikuar. Dhe kjo bëri që çmimet në tërësi, kostoja në tërësi të rritet, dhe duke u rritur kostoja kuptohet që janë rritur dhe çmimet. Por, përsëri këtu në këtë situatë të komplekse, veprojnë edhe ata që duan të përfitojnë jashtë çdo lloj logjike ekonomike dhe për këtë siç është ngritur bordi i transparencës, nga organet që merren me monitorimin e tregut, nga organet e tatim taksave, Autoriteti i Konkurrencës dhe të gjitha institucionet që janë të obliguara të angazhuara për të ruajtur dhe për të kontrolluar tregun, duhet të vihen në lëvizje.
NDIQNI BISEDËN E PLOTË NË STUDIO


