Anulohet koncerti i Bad Bunny ne Milano, shkak kushtet e pafavorshme atmosferike

Koncerti në ajër të hapur i yllit portorikan të muzikës, Bad Bunny, në Milano u anulua mbrëmjen e së shtunës, pasi një stuhi e fortë me breshër, erëra të fuqishme dhe reshje intensive shiu goditi zonën ku po zhvillohej eventi. Organizatorët konfirmuan se spektakli u ndërpre për arsye sigurie dhe se të gjithë mbajtësit e biletave do të rimbursohen.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë kokrra të mëdha breshëri që godasin mijëra spektatorët në Hipodromin Snai La Maura, ndërsa Bad Bunny kishte nisur performancën e tij para një audience të madhe. Përkeqësimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike detyroi organizatorët të evakuonin publikun dhe të ndërprisnin koncertin.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, vendimi u mor për të garantuar sigurinë e të pranishmëve, ndërsa koncerti nuk do të riplanifikohet. Ata bënë të ditur se të gjithë fansat do të marrin rimbursim të plotë të biletave në ditët në vijim.
“Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, duke përfshirë stuhi dhe breshër, koncerti i Bad Bunny i planifikuar për 18 korrik në Hipodromin Snai La Maura në Milano u ndërpre dhe zona u evakuua në mënyrë të sigurt. Të gjithë mbajtësit e biletave do të marrin rimbursime të plota”, shkroi operatori i biletave Live Nation në faqen e tij të internetit të dielën.

