“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve francezë për pushimet verore

“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve

Shqipëria, Sllovenia dhe Mali i Zi po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë francezë, por a i përmbushin këto destinacione kushtet, për të kaluar pushimet verore?

Prej vitesh, gara në turizmin mesdhetar dukej e dominuar nga Spanja, Italia, Greqia dhe Kroacia, veçanërisht gjatë sezonit veror, shkruan Sevin Rey – Sahin në një artikull të botuar në median franceze “Le Figaro”.

Megjithatë, përballë këtyre destinacioneve tradicionale, vende si Shqipëria, Sllovenia, Mali i Zi dhe Qipro po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, falë kombinimit të vijës bregdetare, trashëgimisë kulturore dhe gastronomisë, por me më pak turma vizitorësh dhe me kosto më të ulët.

“Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë krahas Sllovenisë, Malit të Zi dhe Qipros si një nga destinacionet mesdhetare më tërheqëse për turistët që kërkojnë alternativa më ekonomike kundrejt Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.

Shqipëria po pozicionohet si një rivale e fortë e vendeve mesdhetare në turizmin veror.

Vendi priti 11,7 milionë vizitorë gjatë vitit 2024, ndërsa numri i turistëve është rritur me 82 për qind krahasuar me vitin 2019. 

Është e vështirë të imagjinohet se deri në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte pothuajse e izoluar nga bota pas më shumë se katër dekadash diktaturë.

Një nga arsyet kryesore të këtij suksesi lidhet me çmimet konkurruese. 

Një dhomë pranë detit kushton ende mesatarisht nga 20 deri në 40 euro për natë, ndërsa një vakt në restorant varion nga 7 deri në 10 euro. 

Në kushte të ngjashme, pushimet në Shqipëri kushtojnë 30 deri në 50 për qind, më i lirë se në Greqi apo Itali.

Megjithatë, rritja e interesit për Shqipërinë, ka sjellë edhe një ngritje graduale të standardeve. 

Në kulmin e sezonit, hotelet më cilësore kushtojnë nga 100 deri në 150 euro nata, një zhvillim që lidhet edhe me hyrjen e zinxhirëve të mëdhenj hotelierë, si grupi hotelier “Meliá Hotels International”.

Me afro 400 kilometra vijë bregdetare, Shqipëria ofron plazhe, gjire të fshehura dhe ujëra të kristalta. 

Në jug, Riviera Shqiptare ofron disa nga peizazhet më mbresëlënëse, mes detit ngjyrë bruz dhe fshatrave të vendosur në shpatet malore.

Në pjesën qendrore-perëndimore të Shqipërisë, Durrësi shtrihet përgjatë bregdetit Adriatik me shëtitoren e tij të njohur, ndërsa Tirana, kryeqyteti i vendit, kombinon fasadat shumëngjyrëshe me trashëgiminë e periudhës komuniste. 

Kruja ofron pamje panoramike drejt Adriatikut, ndërsa Apollonia ruan gjurmët e një qyteti antik mes kodrave dhe ullishtave. 

Ndërkohë, qetësia mbizotëron në lagunat dhe pyjet e Butrintit.

Për adhuruesit e natyrës dhe ecjeve malore, Alpet Shqiptare ofrojnë shtigje ende të eksploruara, duke e kthyer zonën në një parajsë për turistët aventurierë.

EMISIONET