Kolonja rekord tenderash pa garë/ Bashkia e drejtuar nga Erion Isai në 4 vite dha 120 tendera

Dhënia e tenderave në mungesë të konkurrencës është një nga problemet kryesore sidomos në institucionet vendore. Një prej tyre është edhe Bashkia e Kolonjës e cila vetëm në katër vitet e fundit ka dhënë 120 prokurime të tilla dhe vlera e tyre shkon në 4.5 milionë euro.

Bashkia e Kolonjës ka thyer rekord tenderash të dhëna në mungesë të konkurrencës në katër vitet e fundit.

Institucioni që drejtohet nga Erion Isai, gjatë mandatit të cilin e mori pa garë ka bërë në total 141 prokurime publike dhe në 120 prej tyre fituesi është shpallur duke mos pasur konkurrent tjetër në garë.

Vlera totale e tyre shkon në 519 milionë lekë, ose 4.5 milionë euro.

Shumica prej tyre janë me vlerë të vogël, por nuk mungojnë edhe procedurat mbi 100 milionë lekë që janë dhënë pa konkurrim.

Këtu vlen të përmendet prokurimi i mbyllur 11 maj të 2020 që kishte si objekt rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm dhe të jashtëm të furnizimit me ujë të qytetit të Leskovikut.

Për këtë projekt janë shpenzuar 2 milionë euro dhe në të ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “Arkonstudio” dhe “4 A-M” të cilët janë shpallur automatikisht fitues.

Kompania në fjalë ka kërkuar sa 99.3% të vlerës së tenderit për ta realizuar punën për 12 muaj.

Bashkia në fjalë është një tjetër rast që tregon se qeveria dhe institucionet e drejtësisë kanë dështuar që të parandalojnë prokurime të tilla.

tendera bashkia tendera pa garë erion isai

EMISIONET