Kamza asfalton rrugë në zgjedhje, tenderi 290 mijë euro, përjashton ofertat e arsyeshme
Një muaj para zgjedhjeve vendore, bashkia Kamëz ka mbyllur prokurimin e radhës për ndërtimin e disa rrugëve.
Institucioni që drejtohet nga Rakip Suli përzgjedhjen e fituesit e ka bërë duke skualifikuar ofertën më të arsyeshme.
Bëhet fjalë për tenderin që ka si objekt ndërhyrjet në lagjen Bathore dhe Frutikulturë.
Do të shpenzohen rreth 290 mijë euro për rrugët "Abdyl Elmazi", "Ali Kelmendi", "Xheladin Beqiri", "Papa Gjon Pali", "Asim Vokshi", "Vaso Pasha", "Ahmet Vokshi", "Ahmet Zogu" dhe "Leka Zogu".
Gjithësej janë 15 kompani që kishin shfaqur interes të merrnin përsipër punimet dhe fitues është shpallur Nika shpk për të realizuar projektin brenda 80 ditëve.
Ndërkohë subjektet 2N dhe Liqeni VII që kishin kërkuar më pak se fituesi janë përjashtuar nga gara.
Arsyeja sipas bashkisë Kamëz është se i pari në formularin e ofertës ka paraqitur vlerë ndryshe nga preventivi.
Ndërsa i dyti nuk ka paraqitur dokumentat provuese dhe certifikatë kolaudimi për disa mjete.
Tenderi është shënuar me flamur të kuq nga platforma Open Procurment për skualifikimin e operatorëve konkurues përveç fituesit.