Fshihen mbi 215 milionë euro borxhe tatimore, përfitojnë mbi 25 mijë tatimpagues nga falja fiskale

Mbi 215 milionë euro borxhe tatimore janë fshirë deri tani në zbatim të ligjit të faljes fiskale. Administrata Tatimore bën të ditur se nga kjo skemë kanë përfituar automatikisht më shumë se 25 mijë tatimpagues.

Sipas autoriteteve, procesi vijon në mënyrë të automatizuar për të gjithë subjektet që plotësojnë kushtet ligjore për detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2014.

Ndërkohë, Tatimet u kujtojnë tatimpaguesve se deri më 30 qershor mbetet e hapur mundësia për të përfituar nga falja e pjesshme e detyrimeve të krijuara gjatë periudhës 2015–2019.

Për këtë kategori, subjektet mund të zgjedhin mes dy alternativave: të paguajnë 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 dhe të përfitojnë faljen e pjesës tjetër të detyrimit, si dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave; ose të paguajnë 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të penaliteteve përkatëse.

Për detyrimet e krijuara në periudhën 2020–2024, ligji parashikon fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, nëse detyrimi kryesor shlyhet brenda 31 dhjetorit 2026.

Skema e faljes fiskale konsiderohet një nga nismat më të mëdha të viteve të fundit për reduktimin e stokut të borxheve tatimore dhe lehtësimin e barrës financiare për bizneset dhe individët.

EMISIONET