Emergjencat, Peleshi: Identifikimi i riskut nga fatkeqësitë, ndihmë për alokimin e burimeve
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektvendimin e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se, ky është një vendim mjaft i rëndësishëm.
"Ka bëjë me futjen në një fazë tjetër të planifikimit të projekteve, politikave tona, të përballimit me emergjencat civile, të mbrojtjes civile. Natyrisht dhe me anëtarësimin në mekanizmin evropian të mbrojtjes civile të cilin e kemi realizuar para pak muajsh dhe tani është vënë në efektivitet.
Kjo na sjell jo vetëm mbështetje në raste emergjencash, por na sjellë më pranë gjetjeve, arritjeve më të fundit të teknologjisë si dhe mënyrës shkencore sesi parandalohen, si planifikohen burimet për t’u parandaluar përmbytjet, tërmetet, risqet teknologjike etj.
Kjo na ndihmon shumë për të qenë edhe më eficient, pra është edhe ekonomi, sa më mirë t’i kemi të identifikuara risqet aq më drejtë do t’i alokojmë burimet.
Duke i shtuar dhe databazën që do të popullohet, që ka filluar të popullohet me imazheri satelitore dhe vitin tjetër dhe me imazheri të dronave, do kemi mundësi të kemi një big data lidhur me historikun e përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera”, u shpreh Peleshi.