Asfalti elektoral i Lefter Allës/ Bashkia e Bulqizës me tendera problematikë e pa garë para zgjedhjeve

Bashkia Bulqizë vijon të bëjë tendera për asfaltimin e rrugëve edhe pse ndodhemi vetëm 2 muaj nga zgjedhjet vendore. Përpos kësaj, institucioni që drejtohet nga Lefter Alla të dy prokurimet që kapin vlerën e 202 mijë eurove i ka dhënë duke skualifikuar ofertat më të mira dhe tjetrin në mungesë të konkurrencës.

Asfalti elektoral nuk ndalet nga bashkitë edhe pse ndodhemi vetëm dy muaj para zgjedhjeve vendore.

Këtë na e tregon Bashkia e Bulqizës e cila ka bërë dy tendera me vlerë 202 mijë euro pikërisht për asfaltimin e dy rrugëve, një në mes të shkurtit dhe tjetri këtë të hënë.

Për më tepër prokurimet janë dhënë në njërin duke skualifikuar ofertat më të mira ndërsa tjetri pa garë.

Konkretisht, në prokurimin për asfaltimin e rrugës së varrezave në qytetin Bulqizë, kanë marrë pjesë 5 kompani.

Dy ofertat më të mira janë skualifikuar nga gara për shkak të kritereve ndërsa fitues është shpallur subjekti “SHEHU” që kishte kërkuar sa 96% të vlerës së tenderit për të kryer punën.

Kompanitë e skualifikuara janë “Sireta 2F” me 20 mijë euro më pak dhe “K.M.K” që kërkoi 28 mijë euro më pak se kompanie fituese.

Por institucioni i drejtuar nga Lefter Alla nuk ndalon këtu, pasi ditën e hënë ka mbyllur tenderin për asfaltimin e rrugës në fshatin Krajkë e Sipërme të cilin e ka dhënë në mungesë të konkurrencës.

Në këtë prokurim ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “MURATI” dhe “EURO-ALB” të cilët janë shpallur fitues pa garë. Për më tepër kompania fituese ka kërkuar sa 97% të fondit limit për të kryer punën për 28 ditë.

tendera bashkia bashkia bulqizë bulqizë

EMISIONET