Asfalt për vota edhe në Belsh/ Bashkia hap tenderin 1 mln euro për 15 rrugë në kohë fushate
Tenderët për të ashtuquajturin asfalt votash nuk kanë të ndalur në institucionet vendore. Këtë herë është Bashkia e Belshit, e cila ka hapur prokurimin prej 1 milionë euroh për rehabilitimin e 15 akseve ku përfshihen edhe disa fshatra.
Në një kohë kur ndodhemi më pak se dy muaj nga zhvillimi I zgjedhjeve bashkiake, institucionet vendore vijojnë të realizojnë tendera mbi 100 milionë lekë për rrugët. Këtë herë është Bashkia e Belshit, e cila ditën e hënë ka hapur prokurimin tenderin 115 milionë lekë ose 1 milionë euro, për sistemimin dhe asfaltimin e disa akseve të brendshme të disa fshatrave të Belshit.
Sipas dokumenteve, parashikohen që të asfaltohen në total 15 rrugë, 6 prej tyre brenda qytetit dhe 9 të tjera në fshatrat Kajan, Grekan, Gurraj, Turbull, Dëshiran, Dragot 1 dhe 2, Shkëndij, Seferan, Gradisht dhe Marinzë. Kompania fituese pritet të shpallet në datën 14 prill e cila pasi të nënshkruaj kontratën do të duhet t’i përfundojë punimet brenda 6 muajve.
Në relacionin teknik thuhet se gjendja e rrugëve është degraduar dhe vështirëson kalimin e mjeteve, ndërsa çudia qëndron në faktin se kryebashkiaku Arif Tafani edhe pse ka 8 vite në krye të bashkisë, kujtohet në kohë fushate për rrugët e territorit që administrion.