Tentoi t’i “mbyllë gojën” Tv Ora News/ Publikohen faktet, dy standardet e Elona Hoxhajt

Ashtu sikurse kemi paralajmëruar më herët, Tv Ora News do të flasë me fakte se si Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, Elona Hoxhaj, vepron me dy standarde, duke tentuar t’i “mbyllë gojën” gazetarëve.

Edhe pse Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka si qëllim  nxitjen e transparencës së autoriteteve publike, kur bëhet fjalë për AKSHI-n Elona Hoxhaj nuk e ka fare problem të harrojë  detyrën që ka dhe të bëhet “avokate” e këtij institucioni.

Me anë të kësaj shkrese i kemi dërguar Komisionerit ankesë pasi AKSHI refuzoi të na japë informacion se si është shpenzuar shuma 173.220.000 që ky institucion i dha subjektit “Spot Communication”.

Zonja Hoxhaj me anë të kesaj shkrese që mban firmën e saj, na përgjigjet se media mund të kërkoje çdo dokument që është prodhuar dhe mbahet nga një institucion publik, por jo në rastin e AKSHI-t, sepse pyetjet tejkalojnë qëllimin e njohjes.

Në fakt, informacioni që u kërkua nuk ishte asgje më shumë se sa kopje e dokumenteve zyrtare, por drejtoresha Elona Hoxhaj, merr përsipër të mos e shqyrtojë ankesën duke lexuar ligjin me syrin e paligjshmërisë.

Kjo çështje tashmë i ka kaluar SPAK-ut.

Adriana Kalaja, Avokate: Unë nuk di që në këtë rastin që ne çuam në SPAK, ju e çuat në fakt, në lidhje me mosdhënien e informacionit nga institucioni i AKSHI-t dhe në asnjë moment të këtij komunikimi nuk ju kërkohej një autorizim, por ju thuhet që AKSHI ka vepruar në respektim të dispozitave ligjore. Atë ne e kemi konsideruar si shpërdorim detyre. Dhe jo vetëm ka shpërdorim detyre, por mbulohet një aferë, ose një abuzim edhe më i lartë nga vetë Komisioneri duke shkelur ligjin.

Por dy muaj më pas Znj. Hoxhaj e lexon ligjin ndryshe, fiks ashtu si është shkruar e si duhet zbatuar, dhe në një tjetër ankesë në lidhje me AKSHI-n na përgjigjet pozitivisht, duke na bërë me dije se nëse ky institucion nuk jep informacion, të cilin e ka detyrim ligjor, do të gjobitet.

Të dyja kërkesat në thelb janë të njëjta, por ajo që ndryshon është përgjigjia që jep drejtuesja Elona Hoxhaj.

Një pyetje publike kemi për Znj. Hoxhaj: Kur e keni zbatuar ligjin në rastin që keni pranuar ankesen e Tv Ora, apo kur e keni refuzuar? Sepse këto dy përgjigje kontradiktore mbajnë firmën tuaj.

Për çdo paligjshmëri të konstatuar në këtë komunikim zyrtar  TV Ora News ka depozituar dosjen në SPAK, dhe do jetë drejtësia ajo që do thotë fjalën e fundit.

spak ora news elona hoxhaj akshi adriana kalaja

EMISIONET