"Alarmante është pak!"/ Sinanaj nxjerr shifrat e dhimbshme: Mbi 20% e të moshuarve po mbijetojnë me 10 deri në 30 mijë lekë pension
Sociologia Eva Sinanaj, e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ka lëshuar një alarm ulëritës për situatën e të moshuarve në vend, duke theksuar se përveç harresës sociale dhe largimit të fëmijëve në emigrim, mbi 20% e popullsisë mbi 65 vjeç po "mbijeton" me pensione minimale prej 10 deri në 30 mijë lekësh të vjetra.
" Mbi 20% e popullsisë sonë, këtë e dimë edhe nga statistikat e INSTAT-it, janë mbi 65 vjeç, por nuk është ky problemi kryesor.
Problemi është që kjo grupmoshë është një grupmoshë e cila po përballet dita-ditës me vështirësi ekonomike, po përballet me vështirësi sociale.
Është një grupmoshë që duhet thënë e ka prekur emigracioni sepse fëmijët e tyre janë larguar nga Shqipëria. Vajzat dhe djemtë janë larguar nga përkujdesi i prindërve, janë në distancë. Do të thoja që një në pesë të moshuar në realitetin shqiptar vuan nga problemet e shëndetit mendor.
Një përqindje e konsiderueshme e tyre kanë probleme kardiovaskulare, kanë probleme artriti, kanë probleme me sëmundje kronike shoqëruese.
Kanë probleme të shëndetit mendor. Kjo jo gjithmonë vjen si pasojë e një sëmundjeje që mund të ketë qenë më përpara, por unë do të thoja vetmia e tyre, ndihen të vetmuar, përjashtimi nga shoqëria, i bën ata që të përjetojnë gjendje jo të mira emocionale, të përjetojnë vetmi, të përjetojnë stres, të përjetojnë ankth. Pastaj duhet thënë që kjo ndikohet edhe nga pamundësitë e tyre financiare.
Një përqindje e konsiderueshme marrin deri në 100 mijë lekë të vjetra ose 10 mijë lekë pension, ose nga 10 deri në 30 mijë lekë pension, një pension i cili është minimal dhe i papërballueshëm për shpenzimet, për të jetuar në mënyrë normale, me dinjitet në realitetin ku ne jetojmë",u shpreh Sinanaj.
Ndiqni intervistën e plotë:

