Pas kritikave, Alban Skënderaj flet për herë të parë për protestat në Shqipëri (FOTO)

Pas kritikave, Alban Skënderaj flet për herë të parë

Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skënderaj, ka ndarë një reagim të gjatë në Instagram lidhur me protestën qytetare që po zhvillohet në vend, duke e cilësuar atë si një nga momentet më frymëzuese të dekadave të fundit.

Përmes një serie shkrimesh të publikuara në rrjetin social, artisti theksoi se protesta ka vendosur një standard të ri për brezat që do të vijnë dhe se, pavarësisht debateve që e shoqërojnë, ajo ka arritur një fitore të rëndësishme duke zgjuar vetëdijen qytetare.

“Besoj se kjo protestë tashmë ka arritur një fitore të madhe, ka zgjuar një vetëdije qytetare që për shumë vite dukej e fjetur”, shkruan Skënderaj.

Ai vlerësoi frymën, qytetarinë dhe pastërtinë e protestës, ndërsa pranoi se në çdo lëvizje të madhe shoqërore mund të ketë individë apo grupe që përpiqen ta përdorin atë për interesat e tyre.

Megjithatë, sipas tij, forca e vërtetë e protestës qëndron te qytetarët e zakonshëm dhe të ndershëm.

Në postimin e tij, këngëtari u ndal edhe te kritikat që ka marrë ditët e fundit për faktin se nuk ka reaguar mjaftueshëm publikisht.

Ai sqaroi se mbështetja e tij për transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar është shprehur vazhdimisht përmes qëndrimeve publike dhe pranisë së tij në shesh.

Skënderaj tha se nuk e mat dashurinë për vendin me numrin e postimeve në rrjetet sociale, duke theksuar se ka zgjedhur artin dhe muzikën si mënyrën e tij të komunikimit me publikun.

“Nuk kam qenë kurrë njeriu që bërtet më fort në dhomë. Kam zgjedhur muzikën. Kam zgjedhur poezinë. Kam zgjedhur këngët”, shkroi ai.

Artisti shtoi se gjatë gjithë karrierës së tij është përpjekur të përcjellë përmes krijimtarisë vlera si dashuria, dinjiteti, familja, liria, rrënjët dhe shpresa, duke nënvizuar se secili kontribuon në shoqëri sipas natyrës dhe mundësive të veta.

Postimi i tij ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë vlerësuar mesazhin e tij në mbështetje të ndërgjegjësimit qytetar dhe pjesëmarrjes aktive në jetën publike. 

EMISIONET