Daçiç kundërshton kushtëzimin e serbëve me dokumentet e Kosovës

Daçiç kundërshton kushtëzimin e serbëve me

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar se për Serbinë është e papranueshme që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës të kushtëzohet me posedimin e dokumenteve personale të Kosovës, duke paralajmëruar se lidhur me këtë çështje do të bisedohet në takimin e ardhshëm në Bruksel, më 24 korrik.

“Serbia nuk mund të lejojë që në zbatimin e asaj për çka është arritur marrëveshja në Bruksel, të bëhet mbi bazën e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri serb, Ivica Dacic, duke përkujtuar se përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, është pajtuar me atë se marrëveshja e Brukselit është neutrale ndaj statusit, prandaj duke u nisur nga kjo duhet gjetur zgjidhje për implementimin e marrëveshjes pa dëmtuar këtë parim.

Dacic, siç transmeton Tanjug, ka thënë se kjo është e rëndësishme për motivimin e serbëve që të dalin në zgjedhjet lokale, të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme për implementimin e marrëveshjes së Brukselit.

"Pas zgjedhjeve pason e drejta për konstituimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe atëherë do të jenë të zgjedhur përfaqësuesit legjitimë të popullit serb në Kosovë”, ka thënë Dacic.

Kryeministri serb ka potencuar se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje që të forcohet pavarësia e Kosovës por që të legjitimohen udhëheqësit e serbëve në Kosovë.

EMISIONET