VIDEO/ Dezinsektim kundër mushkonjave në zonat bregdetare dhe urbane, me rëndësi për turizmin dhe shëndetin publik

Me nisjen e sezonit turistik veror ka vijuar procesi i dezinsektimit në zonat ligatinore, urbane dhe bregdetare në të gjithë vendin, një ndërhyrje e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët dhe pushuesit.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini tha sot se procesi ka nisur në përputhje me planin kombëtar të monitorimit dhe kontrollit, duke synuar uljen e dendësisë së mushkonjave në zonat me risk më të lartë.
“Procesi i dezinsektimit është i rëndësishëm, sepse synon të ulë dendësinë e mushkonjave në vendin tonë, veçanërisht në zonat bregdetare dhe urbane. Kjo ndërhyrje është e rëndësishme jo vetëm për turizmin, por edhe për popullatën shqiptare”, u shpreh Tomini.
Sipas saj, preparatet e përdorura gjatë trajtimit luftojnë larvat e mushkonjave pa dëmtuar shëndetin e njerëzve, kafshëve apo mjedisin.
“Produkti që përdoret nuk është toksik për organizmat tokësorë dhe ujorë dhe garanton sigurinë mjedisore gjatë gjithë procesit”, theksoi Tomini.
Procesi po zbatohet në zonat urbane dhe bregdetare të qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Fierit dhe Vlorës, në bazë të një harte të përcaktuar nga vlerësimet epidemiologjike dhe entomologjike.
Tomini bëri të ditur se ndërhyrjet koordinohen nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim të ngushtë me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe njësitë vendore të kujdesit shëndetësor.
Drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Çanaku u shpreh se “pas procesit të vlerësimit entomologjik fillon trajtimi i larvave dhe më pas kryhet monitorimi pas trajtimit. Vlerësimet përcaktojnë habitatet që do të trajtohen, si lagunat, parqet, pellgjet, kanalet kulluese, bodrumet dhe pusetat”.
Ajo shtoi se trajtimi në habitatet natyrore si lagunat, kanalet dhe parqet përsëritet çdo dy javë, ndërsa në bodrume dhe puseta çdo katër javë, për të garantuar efektivitetin e ndërhyrjes gjatë gjithë sezonit.
Në Spille, një nga zonat me fluks të lartë turistësh gjatë verës, janë identifikuar dhe vlerësuar rreth 10 hektarë sipërfaqe që do t’i nënshtrohen trajtimit kundër larvave të mushkonjave.
Çanaku, theksoi se procesi mbështetet në monitorim të vazhdueshëm në terren dhe në analiza shkencore që përcaktojnë intensitetin dhe shtrirjen e ndërhyrjeve.
“Dezinsektimi nuk kufizohet vetëm në zonat turistike bregdetare, por shtrihet edhe në zonat urbane të qarqeve të përzgjedhura pas vlerësimeve entomologjike, me qëllim uljen e riskut për përhapjen e sëmundjeve”, tha Çanaku.
Në bazë të planit të punës, procesi nis zakonisht në muajt prill-maj dhe vijon deri në shtator-tetor, duke zgjatur rreth gjashtë muaj dhe duke mbuluar periudhën me aktivitetin më të lartë të mushkonjave.
Procesi i dezinsektimit po vijon në të gjithë vendin sipas hartës së zonave turistike dhe urbane të përcaktuara nga ekspertët epidemiologë, duke garantuar më shumë siguri shëndetësore dhe qetësi për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.


