Vance paralajmëron: Rreziku i përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut mbetet i lartë!

Vance paralajmëron: Rreziku i përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka paralajmëruar se rreziku i përplasjeve të izoluara mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban vazhdon të ekzistojë, pavarësisht marrëveshjeve të armëpushimit të arritura në kuadër të marrëveshjes SHBA-Iran.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Vance theksoi se Uashingtoni pret që të dyja palët t’u përmbahen detyrimeve të marra dhe e konsideron armëpushimin si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për stabilitet në Lindjen e Mesme.

“Bëhet fjalë për paqen rajonale. Shpresojmë që Hezbollahu të mos lëshojë raketa dhe dronë drejt Izraelit. Por gjithashtu presim që Izraeli të mos veprojë pa kufizime në Liban”, deklaroi ai.

Sipas Vance, megjithëse situata ka shënuar përmirësime të dukshme me më pak sulme dhe shkëmbime zjarri, incidente të veçuara mbeten të mundshme gjatë procesit të zbatimit të marrëveshjes.

Zëvendëspresidenti amerikan nënvizoi gjithashtu se në të ardhmen kontrolli i sigurisë në jug të Libanit duhet t’u kalojë institucioneve shtetërore libaneze, me qëllim frenimin e ndikimit të Hezbollahut dhe uljen e kërcënimeve ndaj Izraelit.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon, në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit.

EMISIONET