Trump kritikon BM për mosangazhimin në luftën kundër Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka rinovuar kritikat ndaj Britanisë së Madhe për refuzimin e saj që të përfshihet ushtarakisht në konfliktin me Iranin, duke shprehur zhgënjim ndaj qëndrimit të kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Gjatë një konference për shtyp pas samitit të G7 në Evian, presidenti Trump tha se kishte kërkuar që BM të dërgonte anije për operacione në Ngushticën e Hormuzit, por se Starmer i ishte përgjigjur se forcat britanike do të angazhoheshin vetëm pasi lufta të kishte përfunduar.
“Isha vërtet i zhgënjyer. Nuk mund ta besoja atë përgjigje”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se SHBA-ja nuk kishte nevojë për ndihmën e aleatëve europianë në operacionet detare, por se do ta mirëpriste një kontribut të tillë.
Ai kritikoi gjithashtu Japoninë për hezitimin për t’u përfshirë në konflikt.
Liderët e G7 mbështetën nismën britaniko-franceze për garantimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftimeve.
Misioni parashikon përdorimin e pajisjeve autonome për zbulimin dhe pastrimin e minave detare.
Ndërkohë, presidneti Trump dhe liderët e vendeve të G7 përshëndetën marrëveshjen e përkohshme të paqes mes SHBA-së dhe Iranit, e cila pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.
Marrëveshja synon t’i japë fund konfliktit katërmujor dhe parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe lejimin e Iranit për të eksportuar naftë pa kufizime.
Dokumenti përfshin gjithashtu perspektivën e krijimit të një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit pas luftës, megjithëse Trump theksoi se SHBA-ja “nuk do të kontribuojë as 10 cent”.
Heqja e sanksioneve dhe zhbllokimi i aseteve iraniane do të varen nga një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor të vendit.
Marrëveshja konsiderohet një lëshim i rëndësishëm ndaj Teheranit dhe mund të përballet me kundërshtime në Uashington.
Ajo shihet gjithashtu si një goditje politike për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa parashikon edhe ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve në Liban mes Izraelit dhe organizatës Hezbollah.


