Trump godet Iranin me masa të reja, nafta "shpërthen" me mbi 9%

Trump godet Iranin me masa të reja, nafta "shpërthen" me mbi

Tregjet ndërkombëtare të energjisë kanë reaguar me një rritje të fortë të çmimit të naftës, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të tranzitit në Ngushticën e Hormuzit dhe bllokadës së re ndaj porteve iraniane.

Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tij në furnizimin global me naftë.

Nafta Brent e Detit të Veriut për dorëzim në shtator u rrit me 9.59%, duke arritur në 83.30 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i lartë i javëve të fundit dhe rritja më e madhe brenda një seance tregtare që nga fillimi i konfliktit.

Edhe nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) për dorëzim në gusht u ngjit me 9.42%, duke u tregtuar në 78.14 dollarë për fuçi.

Sipas analistëve të Eurasia Group, tregjet deri tani kishin vlerësuar se sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit nuk do të kishin ndikim të madh në furnizimin global. Megjithatë, tensionet e fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ndryshuar pritshmëritë e investitorëve dhe kanë rritur frikën për ndërprerje të qarkullimit të naftës.

Ndërkohë, bursat amerikane e mbyllën seancën e së hënës me humbje. Indeksi S&P 500 ra me 0.78%, Nasdaq humbi 1.55%, ndërsa Dow Jones u ul me 0.26%, ose rreth 138 pikë.

Nën presion u gjend edhe sektori i teknologjisë dhe i gjysmëpërçuesve. Aksionet e SK Hynix ranë me 9%, Micron Technology me 4%, Sandisk me 12%, Seagate Technology me 5%, AMD me 4% dhe Intel me 6%.

Vëmendja e investitorëve është përqendruar edhe te publikimi i të dhënave të inflacionit në Shtetet e Bashkuara për muajin qershor. Sipas parashikimeve të ekonomistëve, inflacioni pritet të rritet me 0.2% në baza mujore, ndërsa në bazë vjetore të arrijë në 3.8%.

EMISIONET