Inxhinieri iraniano-amerikan shpallet fajtor në SHBA, akuzohet për eksport të paligjshëm teknologjie për dronë iranianë

Një inxhinier iraniano-amerikan është shpallur fajtor nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara për përfshirje në një skemë të paligjshme eksporti të teknologjisë me përdorim të mundshëm ushtarak drejt Iranit.
Sipas autoriteteve amerikane, komponentët elektronikë dhe sensorët e teknologjisë së avancuar përfundonin te një kompani iraniane që prodhonte sisteme navigimi për dronë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit.
43-vjeçari, i cili punonte në një kompani amerikane të prodhimit të gjysmëpërçuesve deri në arrestimin e tij në fund të vitit 2024, u shpall fajtor për tri akuza që lidhen me komplotin për eksport të paligjshëm të teknologjisë në kundërshtim me sanksionet amerikane ndaj Teheranit. Për dy akuza të tjera ai u shpall i pafajshëm.
Sipas prokurorisë amerikane, inxhinieri ndihmoi në sigurimin dhe transferimin e pajisjeve të teknologjisë së lartë drejt një kompanie iraniane që zhvillonte sisteme navigimi për mjete ajrore pa pilot. Për të shmangur kufizimet e SHBA-së, produktet kalonin fillimisht përmes një kompanie të regjistruar në Zvicër, duke fshehur destinacionin përfundimtar.
Autoritetet amerikane pretendojnë se kompania amerikane që prodhonte komponentët nuk kishte dijeni se produktet e saj po përfundonin në Iran dhe se skema ishte krijuar për të anashkaluar kontrollet e eksportit.
Rasti mori vëmendje për shkak të lidhjeve të kompanisë iraniane me programin e dronëve të Teheranit. Prokurorët thanë se sistemet e navigimit të prodhuara prej saj janë përdorur në mjete ajrore pa pilot të zhvilluara nga Irani.
Megjithatë, gjykata nuk lejoi që në proces të përfshiheshin prova që lidhnin drejtpërdrejt këtë çështje me sulmin ndaj një baze amerikane në Jordani në janar 2024, ku humbën jetën tre ushtarë amerikanë. Sipas gjykatësit, këto prova mund të ndikonin në mënyrë të padrejtë te vendimi i jurisë.
Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshtoi akuzat dhe argumentoi se marrëveshjet tregtare ishin të ligjshme. Avokatët thanë se kompania zvicerane ishte një biznes real me fokus në teknologji civile dhe jo një kanal për transferimin e pajisjeve drejt Iranit.
Procesi gjyqësor ishte shtyrë për disa muaj për shkak të shqetësimeve se tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mund të ndikonin te paanshmëria e jurisë.
Pas vendimit të fajësisë, 43-vjeçari pritet të dalë para gjykatës në muajin tetor për caktimin e dënimit. Rasti shihet nga autoritetet amerikane si pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar eksportin e teknologjive të ndjeshme që mund të përdoren në sektorin ushtarak.


