Darwin Nunez drejt një transferimi befasues / Atlanta United nis bisedimet për sulmuesin uruguaian

Darwin Nunez mund të jetë protagonist i një prej lëvizjeve më të papritura të kësaj vere, pasi sulmuesi uruguaian po shqyrton mundësinë e largimit nga Arabia Saudite vetëm një vit pas transferimit te Al-Hilal.
Sipas The Athletic, klubi amerikan Atlanta United ka shfaqur interesim për 27-vjeçarin dhe tashmë ka nisur kontaktet e para për një transferim të mundshëm.
Megjithëse negociatat janë ende në fazat fillestare dhe nuk ka një marrëveshje të arritur, klubi nga MLS po e vlerëson seriozisht mundësinë për ta afruar ish-sulmuesin e Liverpoolit.
Largimi i mundshëm i Nunezit nga Al-Hilal lidhet edhe me ndryshimet në hierarkinë e skuadrës, sidomos pas afrimit të Karim Benzemas, i cili ka ndikuar në hapësirat e uruguaianit në formacion.
Në sezonin e kaluar, Nunez regjistroi gjashtë gola dhe katër asistime në 16 paraqitje zyrtare, ndërsa gjithashtu ishte pjesë e Uruguait në Kupën e Botës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Atlanta United do të arrijë të bindë Al-Hilalin për transferimin e sulmuesit, në një lëvizje që në Angli po cilësohet si një nga transferimet më befasuese të verës.


