Tanket në rrugë, ushtria në terren/ Tajvani teston reagimin ndaj një skenari të mundshëm lufte

Tajvani ka nisur një seri stërvitjesh ushtarake 5-ditore me pjesëmarrjen e forcave tokësore, ajrore dhe detare, në një periudhë kur tensionet me Kinën vazhdojnë të mbeten të larta.
Autoritetet në Taipei deklarojnë se manovrat janë pjesë e programit të rregullt vjetor të trajnimit të Forcave të Armatosura, por ato zhvillohen në një moment kur shqetësimet për sigurinë e ishullit janë shtuar ndjeshëm.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, ushtrimet synojnë të testojnë gatishmërinë luftarake të njësive ushtarake, të përmirësojnë koordinimin ndërmjet forcave të ndryshme dhe të forcojnë aftësinë për t’iu përgjigjur një situate të mundshme krize.
Një nga objektivat kryesore është kalimi i shpejtë nga gjendja e paqes në atë të luftës, duke simuluar kushte sa më reale të fushë-betejës.
Gjatë ditës së parë të stërvitjeve, automjete të blinduara janë parë duke lëvizur në disa zona strategjike në veri të ishullit, përfshirë qytetin Taoyuan.
Prania e mjeteve ushtarake në rrugët urbane ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe mediave lokale.
Në sfond të këtyre zhvillimeve qëndron rivaliteti i vazhdueshëm mes Kinës dhe Tajvanit. Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe nuk e përjashton përdorimin e forcës për ribashkim, ndërsa qeveria tajvaneze mbron statusin aktual dhe kundërshton çdo bashkim të detyruar.


