Sondazhi shokues, The Guardian: Vetëm një në 10 europianë e shohin SHBA-në si aleate

Besimi i Europës te një “garanci sigurie” amerikane ka mbërritur një nivel të ulët historik sipas një sondazhi të cituar nga The Guardian, i cili tregon se vetëm një në dhjetë qytetarë nga 15 vende e shohin SHBA-në si një aleat, dhe shumica në të gjitha vendet dyshojnë se Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin në rast sulmi ndaj tyre.
Sondazhi, i publikuar nga think tank-u European Council on Foreign Relations përpara samiteve të rëndësishme të G7 dhe NATO-s në Francë dhe Turqi, tregon një “mosbesim të thellë europian ndaj SHBA-së”, sipas autorëve.
Rezultatet treguan gjithashtu se, ndërsa shumë europianë besojnë se marrëdhëniet me Uashingtonin do të përmirësohen pas largimit të Donald Trump, ata janë gjithnjë e më të gatshëm të mbrojnë veten ndaj pasigurisë amerikane duke forcuar mbrojtjen e kontinetit të vjetër.
Agresiviteti i SHBA-së në Lindjen e Mesme, kërcënimet ndaj Grenlandës, vendimet për të tërhequr trupat nga bazat evropiane dhe skepticizmi mbi të ardhmen e NATO-s kanë nxitur një pragmatizëm evropian në rritje.
Shumë europianë mbështesin uljen e varësisë nga Uashingtoni dhe janë të gatshëm për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së vendeve të tyre.
Sondazhi, i zhvilluar në maj në vende që përfshijnë Austrinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar etj, tregoi se vetëm 11% e të anketuarve e konsiderojnë SHBA-në si aleat që ndan interesat dhe vlerat e tyre- një rënie kjo nga 16% që ishte gjashtë muaj më parë dhe 22% nëntorin e 2024.
Shumica e të anketuarve në secilin vend ku u zhvillua sondazhi, tha se nuk beson që SHBA-ja do t’u vijë në ndihmë në rast sulmi, por mendojnë se të paktën disa vende europiane do të ndihmonin në rastin e një skenari të ngjashëm.

