Shfrytëzoi funeralin e të vëllait për të arratisur/ I shoqëruar nga gardianët australian, i burgosuri shqiptar humb gjurmët mes qindra të pranishmëve (EMRI)

Shfrytëzoi funeralin e të vëllait për të arratisur/ I

Një ceremoni mortore në Melburn është kthyer në skenën e një arratisjeje spektakolare që vazhdon të sfidojë autoritetet australiane prej më shumë se një muaji. Orijol Rukaj, 47 vjeç, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, arriti të largohej nga mbikëqyrja e forcave penitenciare gjatë funeralit të vëllait të tij, Sokol Rukaj, duke humbur gjurmët mes qindra të pranishmëve.

Ngjarja ndodhi në varrezat e Keilor East, ku Rukaj ishte lejuar të merrte pjesë nën masa të forta sigurie. I shoqëruar nga gardianë dhe me pranga në duar, ai ishte pjesë e grupit që transportoi arkivolin gjatë ceremonisë.

Sipas raportimeve të mediave australiane, momenti vendimtar erdhi gjatë homazheve, kur qindra persona iu afruan arkivolit për përshëndetjen e fundit. Në kaosin e krijuar, 47-vjeçari dyshohet se u shkëput nga grupi dhe u largua pa u vënë re, ndërsa rojet konstatuan mungesën e tij vetëm pak minuta më vonë.

Hetuesit besojnë se arratisja ishte planifikuar paraprakisht. Dyshohet se një automjet tip Toyota Land Cruiser me ngjyrë të zezë e priste pranë varrezave, duke i mundësuar largimin e menjëhershëm nga zona. Më pas, ai mendohet se ka arritur të heqë edhe prangat, megjithëse ende nuk është sqaruar mënyra e saktë se si ka ndodhur kjo.

Pavarësisht operacioneve intensive të kërkimit, autoritetet nuk kanë mundur ende të bien në gjurmët e tij. Gjatë javëve të fundit janë kontrolluar dhjetëra adresa dhe janë intervistuar persona të afërt me të arratisurin, ndërsa policia ka paralajmëruar se çdo ndihmë e ofruar për fshehjen e tij përbën vepër penale.

Sipas hetuesve, çështja është bërë edhe më komplekse për shkak të dyshimeve se Rukaj mund të ketë mbështetje nga persona të lidhur me grupe të krimit të organizuar, si dhe akses në burime financiare që mund ta ndihmojnë të qëndrojë i fshehur për një kohë të gjatë.

47-vjeçari përballej me akuza të rënda për trafikim dhe posedim të sasive të konsiderueshme të kokainës, vepra penale që mund t’i kushtonin vite të gjata pas hekurave.

 

EMISIONET