Shqipëria surprizon në matematikë/ 2% e vajzave shqiptare hyjnë në 40% të elitës

Shqipëria surprizon në matematikë/ 2% e vajzave shqiptare

Të dhënat e testimit ndërkombëtar PISA 2022 treguan një rënie të njohurive të nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri, por një analizë më e thelluar e OECD-së sjell një tjetër panoramë për performancën e nxënësve, veçanërisht vajzave në matematikë.

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet ndër vendet me një përqindje të lartë të vajzave të talentuara në matematikë, krahasuar si me vendet në zhvillim, ashtu edhe me disa ekonomi të zhvilluara europiane.

Të dhënat tregojnë se vajzat në Shqipëri përbëjnë rreth 40% të nxënësve që hyjnë në 2% të më të mirëve në matematikë. Kjo shifër është më e lartë se mesatarja e vendeve të G7.

Analiza vë në dukje se në shumë vende vajzat po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në fushën e matematikës, por Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve ku përfaqësimi i tyre në nivelet më të larta është relativisht i fortë.

Në krahasim ndërkombëtar, vende si Malajzia, Mongolia, Bosnja dhe Rusia shfaqin gjithashtu përqindje të larta të vajzave mes nxënësve ekselentë në matematikë.

Raporti thekson se në vendet postkomuniste, përfshirë Shqipërinë, hendeku gjinor në këto rezultate është më i vogël se në ekonomitë e tjera, çka lidhet me përfshirjen historike të grave në arsim dhe në fushat teknike.

Ekspertët e OECD-së e lidhin këtë me trashëgiminë e vendeve të rajonit, ku pjesëmarrja e grave në arsim dhe tregun e punës në sektorët STEM ka qenë më e lartë, duke ndikuar në ngushtimin e diferencave gjinore në talentin matematikor.

Në nivel global, raporti vë në dukje se hendeku gjinor në matematikë është më i theksuar në vendet e zhvilluara, sidomos në nivelet e ekselencës.

Sipas analizës, forcimi i aftësive matematikore te vajzat mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, duke rritur potencialin për investime në sektorë me vlerë të lartë si teknologjia, programimi dhe inxhinieria.

Raporti e konsideron këtë një potencial të rëndësishëm për tregun e ardhshëm të punës, veçanërisht në epokën digjitale, ku kërkesa për aftësi analitike është në rritje të vazhdueshme./monitor

Shqipëria surprizon në matematikë/ 2% e vajzave shqiptare

EMISIONET