Tyra Banks padit Netflix për dokumentarin "Reality Check"/ Modelja: Intervista ime u montua jashtë kontekstit

Tyra Banks padit Netflix për dokumentarin "Reality Check"/

Modelja dhe prezantuesja e njohur Tyra Banks ka ngritur një padi ndaj Netflix, duke e akuzuar për shpifje dhe përdorim të pasaktë të deklaratave të saj në dokumentarin “Reality Check: Inside America’s Next Top Model”.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Banks thotë se ka pranuar të marrë pjesë në dokumentar me bindjen se do të kishte një trajtim të drejtë dhe të plotë të historisë së emisionit “America’s Next Top Model”, duke përfshirë si sukseset ashtu edhe kritikat.

Ajo ka deklaruar se ka zhvilluar një intervistë që ka zgjatur mbi tre orë, ku ka folur lirshëm për përvojën e saj dhe vendime që sot do t’i trajtonte ndryshe.

Megjithatë, sipas saj, në versionin final të dokumentarit janë përdorur vetëm një pjesë e vogël e intervistës dhe disa deklarata janë montuar jashtë kontekstit, duke krijuar një narrativë të pasaktë.

Banks pretendon se dokumentari jep përshtypjen se ajo ka lejuar sjellje të papërshtatshme gjatë xhirimeve dhe nuk ka reaguar ndaj situatave problematike, gjë që ajo e kundërshton.

Në padi thuhet gjithashtu se ajo ka raportuar rastet e shqetësimeve në atë kohë dhe se produksioni kishte ndërmarrë hapa të brendshëm, përfshirë trajnime për parandalimin e ngacmimeve.

Tyra Banks kërkon që çështja të shqyrtohet nga një juri dhe që gjykata të vendosë për dëmshpërblimin e mundshëm.

Deri tani, Netflix nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me padinë.

EMISIONET